Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 16:59

Tiranë – Në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, Ambasada Shqiptare në Hagë ka organizuar një koncert me muzikë klasike në teatrin e mirënjohur të Hagës, Anthon Philipzaal.

Në program pati pjesë të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilat u performuan me një nivel tepër të lartë nga violinistja Adelina Hasani, pianistja Mirsa Adami dhe violinçelisti Artur Trajko. Në mënyrë të veçantë origjinaliteti dhe niveli i lartë i kompozitorëve klasikë shqiptare: Zadeja, Dizdari, Peçi e Harapi ishin suprizë për të ftuarit.

Prezantimi me mjeshtëri i koncertit nga Altin Kaftira, ish/balerin i parë i Trupës së Baletit të Amsterdamit, si dhe kombinimi i repertorit me dy pjesë baleti të luajtura me mjeshtëri nga Alina Fejzo (e specializuar në Akademinë e Dancit, Rotterdam) dhe Altin Kaftira, krijuar enkas për këtë aktivitet, i dhanë një vlerë të veçantë dhe emocionuese shfaqjes.

Koncerti u shoqërua më pas me një pritje ku ishin të ftuar përfaqesuesit e trupit diplomatik, e organizatave ndërkombëtare, autoritetet hollandeze, si dhe diaspora shqiptare në Hollandë.(LajmeShqip.com)