Lajme Shqip Saturday, 05 January 2013 17:54

TIRANE – Jubileu i pavarësimit të vendit bëri që studiuesit të rendnin për të publikuar fakte të panjohura historike, por ky vit u shoqërua edhe me realizimin e dhjetra shtatoreve kryesisht të figurave patriotike që kanë zënë vend në disa qytete të vendit, e kryesisht në Tiranë.

Shumë prej monumenteve qenë rrjedhojë e konkurseve, disa të tjera jo…andaj edhe drejtori i Galerisë së Arteve, Rubens Shima thotë se në disa raste, këto monumente qëndrojnë estetikisht keq.

“Mund ta quajmë një monumentomania e 100-vjetorit të Pavarësisë. E vërteata është se shumë monumente u bënë me nxitim dhe nuk morën në konsideratë mjedisin ku do rrinin, marrëdhënien me qytetin dhe njerëzit që jetojnë në këto qytete. Këto monumente janë kthyer në mishërim të antiestetikës”, tha Rubens Shima, Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Mirëpo Tirana mund të jetë ndër të rrallët kryeqytete që në sheshet publike apo ato pak lulishte që ka, mungojnë veprat e artit, që jo domosdoshmërisht duhet të jenë shtatore të figurave historike. Drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima thotë se kjo është rrjedhojë e mendësisë së vjetër sa i takon veprave të artit dhe sidomos mungesës së hapësirave ku mund të qëndrojnë ato.

“Të kesh vepra arti që komunikojnë me publikun, vepra arti publike që mund të jenë edhe skulptura të cfarëdorshme, jashtë ideologjive, ngjarjeve historike në radhë të parë duhet të kemi sheshe për ti vendosur. Ideja e programit të pasurimit të shesheve tona me vepra arti ka munguar, pasi shumica e atyre që drejtojnë bashkitë kanë një mendësi disi të vjetër, në kuptimin se si mendojnë ta zhvillojnë kulturën apo artin nëpër qytete. Ata mendojnë që një vepër arti duhet të lidhet detyrimisht me një ngjarje historike apo me një figurë historike. Kjo është një mendësi që duhet të ndryshojë dhe në radhë të parë kjo është një përgjegjësi që I takon bashkive dhe Ministrisë së Kulturës”, tha Shima më tej.(B.W/LajmeShqip.com)