Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 14:18

Tiranë – Rreth 170 vetë kanë votuar pranë Galerisë Kombëtare të Arteve për Monumentin e preferuar të Pavarësisë dhe rreth 640 të tjerë kanë votuar në faqen zyrtare mes 5 boceteve të përzgjedhur. 

Dita e sotme është afati i fundit i votimit të publikut, votat e të cilit që të jenë sugjeruese për Komisionin Shtetëror të Festimeve. Këto të fundit, sëbashku me pikët me të cilat juria ka vlerësuar pesë idetë më të mira, do t’i prezantohen Komisionit Shtetëror, i cili do të zgjedhë monumentin fitues.
Sipas votimit në faqen zyrtare të GKA-së, monumenti i preferuar vazhdon të jetë ai i skulptorit gjerman Jorg Plickat, i cili propozon një monument lehtësisht të kuptueshëm, dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit.

Shumë afër më të qëndron edhe monumenti i bashkëpunimit mes artistit nga Kosova, Visar Obrija dhe gjermanit Kai Roman Kiklas. Idenë e tyre ata e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi ku njëra gjysëm mban çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Ata që kanë parë nga afër pesë bocetet në garë për çmimin e parë jo vetëm kanë votuar, por edhe kanë lënë komentet e tyre. “Votoj për nr. 3 pasi mendoj që është një obelisk madhështor, që do të vlerësohet mjaft me kohën”, shkruan Edmond Çina.

Ndër komentet ka pasur edhe nga ata që nuk kanë pëlqyer asnjë prej tyre. “Asnjë nga bocetet nuk i përmbush cilësitë shprehëse për 100-vjetorin e pavarësisë së coptuar të kombit shqiptar. Mendoj se konkursi duhet të mbetet i hapur edhe për ca kohë, duke u mbështetur nga media dhe politika për një gjetje artistike më domethënëse dhe njëkohësisht më frymëzuese për të gjitha brezat e këtij kombi.” ka shkruar Hasan Huta.    
Votimi i publikut ishte faza e dytë e këtij konkursi ndërkombëtar. Tashmë mbetet vetëm përzgjedhja e fituesit dhe më pas vendimi për sheshin se ku do të ngrihet monumenti. Është hedhur ideja që monumentet e tjerë që nuk do të fitojnë një vend në kryeqytet të vendosen në qytete të tjera të Shqipërisë.

Në konkurs janë parqitur 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët u përzgjodhën pesë më të mirët e artistëve: Thoma Thoma, Pjerin Kolnika, Blerta Xhomo & Ilirjan Shima, Visar Obrija & Kai Kiklas si dhe Jorg Plickat. (LajmeShqip.com)