Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 14:03

Tiranë – Pak ditë pasi u shpall monumenti fitues i 100-vjetorit të Pavarësisë, me autorë Visar Obrija dhe Kai R. Kiklas, artisti shqiptar Fate Velaj zbulon se ajo është një kopje e monumentit të tij të vendosur në qytetin e Pogradecit, që prej vitit 2009. Është publikuar gjithashtu në media se ajo ngjan edhe me veprën e skulptorit me famë botërore Riçhard Serra. Në një letër drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, Komisionit Ndërministror dhe qytetarëve Obrija dhe Kiklas shprehen se këto pretendime janë absolutisht të pavërteta.

“Ne kemi investuar shumë kohë, mund dhe energji për të finalizuar projektin që tashmë ju e keni në dispozicion. Gjithnjë kemi pasur parasysh aspektin historik, arkitektonik, kulturor dhe traditën shqiptare gjatë projektimit të kësaj ideje. Na vjen shumë keq që tani akuzohemi padrejtësisht se gjoja projekti ynë është ide e kopjuar”, shprehen Obrija dhe Kiklas. Për artistët është nder dhe privilegj që të jenë pjese e projektimit të këtij monumenti që, sipas tyre, është me vlerë dhe rëndësi të lartë historike dhe kulturore, jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë. 

“Ne gjithnjë jemi të gatshëm që të dëshmojmë autorësinë tonë të projektit në fjalë. Jemi këmbëngulës në realizimin e kësaj të drejte, dhe do të jemi të gatshëm që të ndjekim të gjitha proçedurat ligjore për të mbrojtur të drejtën tonë”, shprehen bashkautorët e projektit. Në letrën e tyre ata përsërisin edhe një herë konceptin e tyre për Monumentin e Pavarësisë. Element kyç i idesë ka qënë Kulla shqiptare, e cila për dallim nga shekujt  e tjerë të historisë, tani hapet, duke nënkuptuar me këtë hapje çlirimin nga shtypja dhe pushtimi shekullor.

Monumenti i Visar Obrija dhe Kai R. Kiklas u shpall pak ditë më parë nga Komisioni Shtetëror i Festimeve si monumenti fitues i 100-vjetorit të Pavarësisë, që do të ngrihet në Tiranë. Ky i fundit kishte pikët maksimale të jurisë dhe të votimit të publikut. (LajmeShqip.com)