Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 12:19

TIRANË- Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë, që pritet të vendoset në parkun “Rinia”, do të realizohet në Austri dhe kosto e tij do të jetë 353 mijë euro. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, ka bërë të ditur për mediat se firma austriake “Valenta” ka fituar tenderin e organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas shqyrtimit të 10 ofertave nga kompanitë më të specializuara europiane për realizimin e objekteve të tilla.

 “Ministria e Kulturës e gjykoi të udhës që të organizonte një tender dhe t’u bënte kërkesë për ofertë disa nga kompanive më të rëndësishme që punojnë me metalet dhe që kanë në referencë të tyre punë të ngjashme”, tha Shima për mediat. Kostot e realizimit do të shkojnë 355 mijë euro, pa përfshirë shpërblimin artistik të dy artistëve me 35 mijë euro dhe koston e realizimit të bazamentit. Nëse bëhet një përllogaritje e shpenzimeve nga realizimi deri në montim, sipas Shimës, Monumenti i 100-të vjetorit të Pavarësisë do t’i kushtojë qeverisë rreth 450 mijë euro.

Puna për realizimin e monumentit ende nuk ka filluar, ndërkohë Shima deklaroi se ai do të montohet në Shqipëri para datës 28 nëntor në parkun “Rinia”. Por përse monumenti nuk mund të realizohej në Shqipëri? “Ndërtimi i këtij monumenti kërkon teknologji të precizionit të lartë.  Kjo lloj infrastrukture në Shqipëri nuk ekziston. Mënyra se si ne i bëjmë monumentet është teknologji shumë e vjetruar dhe nuk do ta ekzagjeroja po ta quaja primitive dhe nuk ka asnjë lloj mundësie që këto lloj veprash kaq komplekse të realizohen në Shqipëri”, shprehet Shima.

Monumenti nuk do të jetë 8 metra i lartë, siç u deklarua që në fazën e përzgjedhjes së autorëve të tij, Visar Obrioja dhe Kai Kiklas, por 6.4 metra i lartë dhe rreth 5.5 metra i gjerë, duke përfshirë edhe rrugën pedonale që do të kalojë nëpër të. Visar Obrija dhe Kai Kiklas janë autorët e Monumentit të 100-vjetorit të Pavarësisë, të cilët u përzgjodhën pas një konkursi të shpallur nga GKA. Monumenti do të jetë prej çeliku, ndërkohë që në anët e jashtme do të ketë panele bronxi, të cilat do të jenë si piramida të thyera herë nga brenda dhe herë nga jashtë, duke mundësuar kështu ndiçimin e brendshëm të monumentit edhe natën.

 Trupat janë në një kënd 45 gradë nga njëri-tjetri dhe kjo bën që nga kënde të ndryshme monumenti të ketë pamje të ndryshme. Idenë e tyre autorët e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi, ku njëra gjysëm mbas çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në brëndësi të një trupi do të jetë e gdhendur Deklarata e Pavarësisë, kurse në trupin tjetër shqiponja. (LajmeShqip.com)