Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 19:30

Tiranë – Mjedisi i mësimdhënies në shkollat shqiptare është objekti i studimit që po kryen Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në bashkëpunim me specialistë të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

“Në kuadër të aktivitetit të saj, OBSH po ndërmerr studime në një shkallë të gjërë në rang europian për cilësinë e ajrit në shkolla, cilësisë së mësimdhënies në shkolla, në konceptin mjedisor. Për këtë qëllim për herë të parë është përzgjedhur Shqipëria, për një projekt pilot në 12 shkolla, tetë në Tiranë dhe katër në Elbasan”, tha eksperti i çështjeve të mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Agron Deliu.

Aktualisht specialistët e ISHP-së janë duke përfunduar punën në qytetin e Elbasanit, ndërsa në Tiranë po përfundon fazën e parë e punës për studimin e cilësisë së ajrit nëpër klasa. Zgjedhja e shkollave për të realizuar studimin është kryer në mënyrë të rastësishme.

Sipas Deliut, me aprovimin teknik të rezultateve të përftuara nga ky projekt pilot, OBSH ka në plan të organizojë një studim në rang europian në rreth 50 vende, përfshirë dhe vendet si Shqipëria që synon integrimin në BE.

“Mbi bazën e këtij studimi qëllimi përfundimtar i të gjithë kësaj pune do të jetë që OBSH të japë rekomandime për shkolla të projekteve unike që do të përmbajnë për herë të parë edhe kërkesa strikte për ventilim aspirimin e detyruar, që në shkollat tona nuk ekziston. Kam parasysh që ajrimi i klasave bëhet duke hapur dritaret, ndërsa aspirimi dhe ventilimi i detyruar të ketë sisteme me llogaritje inxhinierike që të nxjerrin ajër të freskët”, u shpreh ai.

Nga studimet e vazhdueshme që ISHP realizon në shkolla, përgjithësisht ka rezultuar që një pjesë e këtyre institucioneve kanë ndotje akustike. Masat e rekomanduara kanë qenë mbjellja e pemëve të larta pranë shkollave, vendosja e perdeve dhe dritareve me materiale hermetizuese ndaj zhurmave, si dhe devijimi i trafikut rrugor, i cili është mjaft i rënduar dhe është faktori kryesor i ndotjes akustike në Tiranë.

Prania e zhurmave në klasë u shkakton fëmijëve interferencë të fjalëve, çrregullimet e dhënies së informacionit (të kuptuarin e mësimit) vështirësi në transmetimin e mesazheve dhe ndjenjë bezdisëse. Niveli zanor normal në brendësi të një klase, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhet të jetë deri në 35 decibel.