Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 08:02

Prishtinë – Ansambli i këngëve dhe valleve të Mitrovicës po e përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Artit dhe Kulturës që po zhvillohet në Inegol, Turqi, ku marrin pjesë ansamble nga 12 shtete.

“Kemi krijuar një miqësi të madhe me drejtuesit e Komunës së Inegolit, me të cilën Mitrovica është e binjakëzuar. Po ashtu kemi krijuar miqësi edhe me shtete të ndryshme që marrin pjesë në këtë festival nga të gjitha kontinentet”, tha drejtori i Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, i cili shoqëron ansamblin.

Nënkryetari për komunitete i Komunës së Mitrovicës, Eroll Zekiria, i cili po ashtu po qëndron në Inegol, bëri të ditur se “prej binjakëzimit me këtë komunë, vazhdimisht kemi thelluar bashëpunimin dhe tashmë janë edhe disa projekte, të cilat në Mitrovicë janë realizuar dhe po realizohen me ndihmën e kësaj komune”.

Një rol shumë të rëndësishëm për këtë bashkëpunim ndërmjet Mitrovicës dhe Inegolit, thotë ai, e kanë shqiptarët që jetojnë në këtë komunë. “Ata janë një komunitet shumë i organizuar këtu dhe ndihma e tyre është e jashtëzakonshme”, thekson ai.