Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 15:22

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konstatuar se punëkryesi të cilit i është besuar rinovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk i është përmbajtur kontratës.

Në vend të granitit me trashësi prej 4 centimetrash, në pushimoren e dytë është përdorur granit me trashësi prej 1,5 centimetrash. Shkelja është pranuar dhe nga kompania punëkryese “Pleqja Construction”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas raportimit të gazetës së janë shkelur kriteret e rinovimit të TKK-së, Ministria e Kulturës ka formuar një komision për mbikëqyrjen e gjendjes praktike të punimeve.

“Pushimorja e parë është ekzekutuar sipas specifikimit me trashësi 4 centimetra, ndërsa pushimorja e dytë nën strehë me granit të trashësisë 1,5 centimetra”, shkruan në raportin e protokolluar në ditën e 12-të të muajit gusht, i cili është nënshkruar nga anëtarët e komisionit Zana Lonçari – Osmani, arkitekte, Sebahate Boshnjaku nga Zyra për prokurim, dhe Beqir Beqiri, organizator në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Përdorja e materialit gati tri herë më të hollë sesa që e specifikonte kontrata është pranuar dhe nga punëkryesi. Ramë Haklaj, pronar i kompanisë “Pleqja Construction”, ka thënë se bëhet fjalë për gabim të kompanisë që ai udhëheq.

“Është një gabim i joni ai i cili nuk është bërë për përfitime”, ka thënë Haklaj. Sipas tij, materialin me trashësi prej 4 centimetrash nuk mund ta sjellin në Kosovë para dy muajsh.

Javën e kaluar gazeta kishte raportuar se TKK-ja po rinovohet me material tri herë më të lirë sesa atë që e ka kërkuar Ministria e Kulturës me ofertë publike. Pos rastit me trashësinë e granitit, punëkryesi ka ndërruar edhe materialin. Në bazë të sqarimeve që u ka dhënë MKRS-ja ofertuesve, për shkallët dhe dyshemenë në hyrje të këtij institucioni është dashur të përdorej granit natyral që në çmimin e tregut në Kosovë kushton rreth 200 euro për metër katror. Por kompania “Pleqja Construction” është duke përdorur llojin, çmimi i të cilit sillet rreth 60 euro për metër katror.

Vetëm pushimoret e shkallëve të TKK-së kanë 135 metra katrorë, kurse shkallët në total kanë mbi 120 metra katrorë. Për secilin metër është përdorur material më i lirë. Kompania që është duke kryer punën ka ofertuar me çmim prej 46.900 eurosh, përderisa kishte kompani që kishin ofertuar me çmime deri në 100 mijë euro.

 

Që nga paslufta e deri më tani, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar katër herë. Rinovimi i fundit qe ai i vitit 2010, kur u shpenzuan 150 mijë euro