Lajme Shqip Saturday, 08 August 2015 10:48

Luljeta Lleshanaku, Rudina Çupi, Idlir Azizaj, Josif Papagjoni, Arben Dedja janë në mesin e autorëve të përzgjedhur.

Dhjetë autorë shqiptarë janë shpallur të premten fituesit e Krijimtarisë Letrare Shqiptare, një fond i krijuar nga Ministria e Kulturës.

Në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e autorëve shqiptare dhe promovimin e letërsisë shqipe u hap Fondi për mbështjetjen e krijimtarisë letrare shqiptare, nëpërmjet së cilit u vendos të financoheshin 10 autorë shqiptarë me një shumë prej 250.000 lekë. Sipas njoftimit te Ministrise se Kultures, në thirrjen për këtë konkurim u paraqitën 57 drafte krijimtarie të cilat iu nënshtruan për rreth një muaji procesit të përzgjedhjes nga ana e Jurisë.

Juria, e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga Prof. Asoc. Dr.Çapajev Gjokutaj, studiues i letërsisë, z. Ardian Vehbiu, shkrimtar e studiues, z. Ben Andoni, gazetar e përkthyes, mori në shqyrtim draftet e koduara, pa emrat e autorëve përkatës, për të siguruar paanshmëri të plotë në procesin e vlerësimit.

Në përfundim të procesit vlerësues, Juria përzgjodhi si të meritueshme për mbështetje financiare veprat e mëposhtme – autorët e të cilave u bënë të njohur pasi gjithsecili nga anëtarët e jurisë kishte depozituar vlerësimin e vet me pikë.

Në gjininë e poezisë: Luljeta Lleshanaku, Rudina Çupi

Në gjininë e prozës së shkurtër: Idlir Azizaj, Josif Papagjoni, Arben Dedja

Në gjininë e romanit: Arian Leka, Romeo Çollaku, Gazmend Krasniqi, Grigor Banushi, Darien Levani

Ndonëse nuk është hera e parë që Ministria e Kulturës organizon konkurse letrare me qëllim nxitjen e krijimtarisë letrare, shpesh këto konkurse janë paragjykuar për objektivitetin e jurisë. Gjithësesi fakti që ky konkurs është bazuar mbi draftet e koduara te secilit prej autorëve, premisat janë që procesi i përzgjedhjes të këtë qënë i paanshëm.  / KultPlus.com