Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 18:38

Tiranë – I vendosur në një kuti të posaçme prej xhami, origjinali i “Mesharit” të Gjon Buzukut u ekspozua për herë të parë të hënën mbrëma Bibliotekën Kombëtare. Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm kryeministri Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministri i Kulturës i Shqipërisë, Aldo Bumçi, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha e shumë personalitetet të tjera.

Nuk mungonin studiues e historianë të ftuar me këtë rast. Por ta sjellë këtë kopje unike në Tiranë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka kaluar një sërë procedurash, përfshirë këtu edhe fondin që është ngrirë për sigurinë e tij, që shkon në shifra të mëdha, rreth një milion euro.

“Të gjithë e kanë parë nga afër këtë botim, që shënon edhe të parin libër në shqip”, raporton gazeta “Shqip”. Në të tjera vitrina janë ekspozuar dy-tri riprodhime nga origjinali e më tej të tjera vepra të pasuesve të Buzukut, si Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Variboba. “Ardhja në Shqipëri për herë të parë e ekzemplarit unikal të ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostullore Vatikane mund të quhet me bindje një ngjarje historike. Një ardhje e tillë ka qenë pa dyshim ëndërr për breza të tërë”, citohet të ketë thënë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, duke falënderuar ministrin Aldo Bumçi dhe përpjekjet e Qeverisë për ta sjellë në këtë 100-vjetor. I ekspozuar i hapur, një cep i mbetur mbi kapak, është shenja e mbetur nga faqet që i mungojnë botimit, plot 16 të tilla në fillim e të tjera përmes librit. Mungesa e frontespicit ka bërë që të humbasin të dhëna të tilla bazë për përshkrimin bibliografik, si titulli, shtypshkronja dhe vendi i botimit. Emri i autorit dhe të atit, si dhe koha që ka zgjatur puna për të, 20 mars 1554 deri më 5 janar 1555, janë ngulitur në pasthënien e veprës. Sipas studiuesit Xhevat Lloshi, kjo pasthënie është “i pari tekst i mirëfilltë shqip që njohim deri më sot”.

“Biblioteka Kombëtare, bota e librit përjetoi një ngjarje unike, një vizitor i pritur në shekuj, që vjen në bibliotekën tonë, libri që themeloi gjuhën e bukur shqipe të liturgjisë”, citohet të ketë thënë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Duke e quajtur gjuhën themelin e identitetit, kryeministri u shpreh se gjuhëtarët dhe studiuesit duhet të gjejnë guximin për t’i dhënë vendin e duhur gjuhës liturgjike.

“Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, nga Gjakova. Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909-n, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.(LajmeShqip.com)