Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 17:21

Gjilan- Shtatëdhjetë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia do të bëhen bashkë në edicionin e 40-të të Panairit të Librit në Gjilan, i cili do të fillojë më 16 tetor.

Panairi i Librit në Gjilan organizohet nga Drejtoria Komunale e Kulturës dhe Biblioteka Regjionale në Gjilan, ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës së Kosovës. Sipas organizatorëve të këtij evenimenti në Panairin e Gjilanit do të ekspozohen 170 tituj të rinj.

Veton Nevzadi, drejtor i Kulturës në Gjilan, në një konferencë shtypi tha se ky qytet ka një traditë dyzetvjeçare në organizimin e panairit, i cili është mbajtur për herë të parë në vitin 1972. Ai shprehur i kënaqur që Gjilani e ka ruajtur këtë manifestim të librit, si mundësi për të bashkuar në një vend botuesit, krijuesit dhe lexuesit, por edhe për t’iu ofruar atyre një mundësi që t’i blejnë titujt më të rinj me çmime më të lira.

Shefki Osmani, drejtor i bibliotekës regjionale “Fan S. Noli” ka thënë se panairi i sivjetmë është më i veçantë se gjithë të tjerët, sepse është jubilar dhe mbahet në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Sipas Osmanit, pjesëmarrjen në panairin, që do të zgjasë katër ditë, e kanë konfirmuar rreth 70 botues, të cilët do të ofrojnë libra në shitje me çmim më të ulët për 30 për qind.

Panairi i Librit do të ketë edhe manifestime përcjellëse, përfshirë shënimin e veprimtarisë shkencore të akademik Idriz Ajetit, në 95-vjetorin e lindjes, veprimtarinë profesionale dhe shkencore të Bahtijar Kryeziut dhe të tjerë.

Me referimet e tyre në këtë panair, pos studiuesve të njohur të gjuhësisë shqiptare nga Republika e Kosovës, do të paraqiten edhe akademik Gjovalin Shkurtaj, profesor dr. Emil Lafe si dhe studiues të tjerë nga Shqipëria.(LajmeShqip.com)