Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 12:39

DURRES- Pas më shumë se 4 shekujsh, përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut kthehen në atdhe. Mengjesin e sotem kane mberritur ne portin e Durresit, shpata dhe perkrenarja e Skenderbeut, qe do te ekspozohen ne Muzeun Historik ne Tirane me rastin e festimeve te 100 vjetorit te Pavaresise.

Shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut kane qene në Austri prej shek. XVI (në vitin 1590 përkrenaren dhe njërën shpatë e kishte në zotërim konti Wolfang i Stunbenbengut.

Shpata tjetër ndodhej në Muzeun e Armëve të arkidukës Karl i Stirisë, biri i perandorit të Gjermanisë në Gratz (Austri). Ato u bashkuan me urdhër të arkidukës Ferdinand i Tirolit, duke u vendosur në muzeun e ngritur në Ambras pranë Tirolit.

Përkrenarja e dhuruar nga Papa në 1466-n

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunst Historisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit). Sipas specialistëve, ky rreth qarkues mund të jetë vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit. Me porosi të qeverisë shqiptare të Paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937-n nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës. Sipas dokumenteve të pakta që na vijnë deri në ditët tona, Papa Pali II i dhuroi Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466 një shpatë dhe një kësulë.

Shpata

Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit, është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Është e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Ka mill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Së bashku me dorëzën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine, ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F. Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: Libehadur Allah Iskander beg- Kampion i Perëndisë, Skënderbeu. Po sipas Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Dorëza e larë në argjend dhe milli i veshur me kadife janë të një kohe të mëvonshme. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për Muzeun e Tiranës të paraluftës.(LajmeShqip.com)