Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 15:41

Shkup – Nesër në mbrëmje në Teatrin Shqiptar në Shkup do të shfaqet premiera e Kabaresë ‘Orkestra’ me skenar të Zhan Anui, e me regji të Natasha Popllavskës.

“Оrkestra” është një vepër skenike e cila ofron argëtim përmes dialogëve komike, por përsëri përqendrohet në çështjet universale të femrës duke pasqyruar rrëfimet e saj jetësore. Publiku do të ketë mundësinë të analizojë dhe polemizojë pikërisht raportet mashkull-femër.

“Ne vërtet synojmë të përcjellim mesazhe të caktuara dhe ato mesazhe të përçohen në publik. Mendoj se me këtë shfaqje, mesazhi do të përcillet dhe se çdokush nga publiku do të gjejë një pjesë të vetes që dëshiron ta njohë, një pjesë në të cilën do të kënaqet, një pjesë tjetër ku do të qesh, si dhe një pjesë ku do të qajë. Kjo, sepse rrëfimet jetësore të aktorëve nuk janë larg nga rrëfimet jetësore të çdo njeriu të thjeshtë”, ka deklaruar për Alast-M,  Natasha Popllavska, regjisorja e kësaj pjese tatrale.

“Luaj rolin e Suzana Delicia, një femër që vjen nga Londra për t’u përfshirë në këtë Kabare. Ajo është një vajzë neorotike, histerike labile e cila fillon të pijë, më në fund vritet sepse nuk ia arrin qëllimit, e qëllimi është dashuria, i dashuri i saj i cili është i martuar”, tha për të njëjtin medium, aktorja Amernis Nokshiqi-Jovanovska.

Ndërkohë drejtori i Teatrit Shqiptar Adem Karaga bëri të ditur se shfaqja e premierës së kabaresë “Orkestra” do të ketë përkthim edhe në gjuhën maqedonase.