Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 07:09

Tiranë – Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit vazhdon aktivitetet e çdo të mërkurë në ekranin e kinemasë së tij, ku kësaj here muaji maj i është dedikuar kinemasë ballkanike.

Duke filluar që nga sot, ora 12:00, do të shfaqen për publikun projeksione filmash klasikë ballkanikë të viteve ’70 – ’80, prodhime që kanë qarkulluar në Shqipëri dhe që tani janë pjesë e fondit filmik të AQSHF-së.

“Muaji i Kinemasë Ballkanike” do të çelet nesër me filmin rumun “Deklaratë dashurie”, një dramë romancë realizuar në vitin 1985, me regji të Nicolae Corjos dhe skenar të Nicolae Sovu.

Filmi rrëfen një histori dashurie gjatë periudhës së komunizmit, që vendos në qendër dy të rinj me statuse të ndryshme sociale, të cilët luftojnë për dashurinë e tyre dhe mbeten së bashku pavarësisht pengesave sociale dhe familjare.

Në datën 11 maj radhën do ta ketë kinematografia bullgare, që përfaqësohet me filmin e regjisorit Metodi Andonov “Briri”. Filmi i vitit 1972, me skenar të Nikolai Haitov, flet për historinë e bariut Karaivan që bëhet rob i dëshirës së tij të dhunshme për hakmarrje kur një bande kriminelësh përdhunojnë dhe vrasin gruan e tij në sytë e vajzës së mitur, Maria.

Të mërkurën tjetër, 18 maj, në kinemanë e AQSHF-së do të shfaqet filmi nga ish-Jugosllavia “Ura”. Në mënyrë që të kontrollonin sulmin gjerman, partizanët dërgojnë një ekip ekspertësh minash për të hedhur në erë urën strategjike nga do të kalonin armiqtë. Përveçse ura ruhet mirë me ushtarë ajo është edhe gati e pathyeshme dhe i vetmi njeri që di pikën e dobët të konstruksionit të saj, është arkitekti që e ka ndërtuar. Filmi i vitit 1969 është i regjisorit Hajrudin Krvavac dhe me skenar të Djordje Lebovic, Predrag Golubovic.

Dy ditë më pas do të shfaqet filmi i kinematografisë turke “Dasma” i vitit 1973, një film që  përshkruan  përpjekjet e një familje emigrante nga Anadolli për t’u përshtatur dhe për të mbijetuar në Stambollin urban në kushte shumë të ndryshme jetese.

Të mërkurën e fundit të majit, “Muajin e Kinemasë Ballkanike” e mbyll filmi nga kinematografia fqinje, “Thanas shtrëngo rripin” nga Greqia. Një komedi e vitit 1971, me regji të Dinos Katsouridis dhe me skenar të po këtij si dhe të Asimakis Gialamas. Në një mënyrë kreative, regjisori Katsouridis arrin të përfshijë aspekte të ndryshme të jetës së përditshme në rrethana të vështira dhe të prodhojnë një rezultat të mbushur me melankoli dhe nostalgji.

AQSHF organizon këtë aktivitet me filma nga Ballkani, pas atij të muajit prill dedikuar filmave të animuar shqiptarë.