Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 09:00

Vlorë – Xha Selmani, pronar i një lokali mes fshatrave Vranisht dhe Mesaplik, në zonën e Lumit të Vlorës, 55 km në juglindje të qytetit, thotë se, në këto ditë dimri të tejzgjatur nuk kanë munguar vizitorët dhe klientët.

“Nuk mbaj mend të ketë ndodhur një dimër i tillë, i ashpër dhe aq i gjatë, por megjithatë edhe klientë kam patur plot, shyqyr zotit”, shprehet 65 vjeçari. “Vijnë nga Vlora, nga Tirana, por edhe të huaj, që u pëlqen bukuria e këtij vendi”, shton ai. “Kanë ngrënë mish qengji sa janë shqepur dhe kanë pirë raki sa nuk u mbanin këmbët. Sepse mishi i qengjit dhe rakia e fortë e rrushit, janë dy asortimentet që e bëjnë të paharrueshme një vizitë në këtë krahinë malore, më e thella e rrethit të  Vlorës, me aq tradita edhe në histori. Reshjet e dëborës së javëve të fundit, pavarësisht se jo me atë intensitet sa në zona të tjera malore të vendit, krijuan gjithsesi disa shqetësime por, pa pasoja. Na mbylli brenda”, thotë xha Samiu në fshatin Vranisht.

Ai bashkë me plakën, sepse vetëm me të ka mbetur në shtëpi (tre djemtë i ka në emigracion), i gdhijnë dhe ngrysnin pa ndonjë ngjarje të veçantë, këto ditë të shkurtra dimri. Herë shkojnë tek ndonjë gjiton dhe herë presin ndonjë prej tyre. Burrat rrëkëllejnë ndonjë gotë raki, që e shoqërojnë me turshi të përgatitura qysh në verë, apo me sallatë ullinjsh e djathë të fortë deleje. Ndërkohë, konsumojnë ushqimet që kanë siguruar më parë dhe bukën që e pjekin vetë në çerep. Ato pak bagëti, i kanë bashkuar me tufën e një bariu, i cili kujdeset dhe u jep pjesën që u takon të qumështit.

Por, banorët e këtyre anëve dimri i ashpër nuk i tremb. Janë mësuar me të. Në fakt, para 7 vjetësh, i gjeti disi të papërgatitur. Në fshatin Kuç bëri edhe dëme. Ngordhën mbi 150 bagëti të imta, si dhe disa gjedhë. Nuk u mjaftoi ushqimi për to, sepse nuk ishin përgatitur. “Ai dimër në dha një mësim të mirë dhe prej atëherë nuk i lemë punët në dorën e rastësisë”, thotë Xhelo Varfi, teksa qëndrojmë në një nga 6 lokalet e këtij fshati, që ndodhet mbi 620 metra mbi nivelin e detit, në bashin e krahinës, aty ku ajo ndahet me Kurveleshin e sipërm, të Gjirokastrës.

Por, kjo krahinë e ashpër në dimër dhe e ëmbël në verë, është edhe një mjedis mjaft i preferuar dhe me mundësi për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor. Kapacitetet janë të shumta, mikpritja e banorëve e pakufishme. Me këto “dy armë” të forta, këta banorë shpresojnë që të kenë mysafirë në çdo stinë.  Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve. Mjaft të huaj, kanë mbërritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza. Turistë italianë, anglezë, francezë, kanë shkelur në këto anë, në vende të papërsëritshme për nga bukuria.

Zona e Lumit të Vlorës, një pjesë e të cilës përfshihet në atë që njihet me emrin Krahina e Labërisë, është një nga hapësirat më me vlerë në rrethin jugor. Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, spikasin në këtë mjedis me emër, që përmbledh 58 fshatra me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh. Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë. Në Lumin e Vlorës përfshihen shtatë komuna, mes të cilave, Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë, Armen.

Simbol Pazaj, kryetar i komunës së Horë-Vranishtit, më e madhja në këtë krahinë, thotë se, një investim për ndërtimin e segmentit rrugor që mundëson daljen në bregdetin e Himarës, përmes Qafës së Dërrasës në afërsi të Kuçit, do të ishte me vlera të jashtëzakonshme. Përveç se do të krijonte mundësi për të afruar tregun e bregdetit me prodhuesit e produkteve blegtorale dhe bujqësore, do të funksiononte edhe në kahjen e kundërt. Do të krijonte një korridor prej vetëm pak kilometrash, që turistët të ngjiteshin në fshatrat e krahinës, për të shijuar freskinë në një verë të nxehtë.

-Qytezat antike të Amantias dhe Olimpes, rikonceptim në funksion të turizmit-
Qytezat antike të Amantias dhe të Olimpes, përbëjnë dy nga vlerat më të spikatura kulturore-arkeologjike, në funksion të zhvillimit të turizmit. Specialisti Gëzim Llojdia, thotë për ATSH-në se, këto dy qyteza antike, kanë nisur të shndërrohen në dy objekte me vlerë për shtimin e fluksit të turistëve në këtë zonë. Sipas tij, krahas Amantias edhe Olimpe mund të bëhet pjesë aktive e sitit arkeologjik, gjë që do të ndikojë në shtrirjen e hapësirës së mbrojtur dhe të trajtuar për evidentimin e vlerave të fshehura në thellësinë e shekujve. Qyteza antike e Olimpes, ndodhet në afërsi të fshatit Mavrovë, në një lartësi prej 285 metra mbi nivelin e detit, rreth 40 km në lindje të qytetit të Vlorës. Ajo është një nga qytetet antike, të zonës së luginës së lumit Shushicë, krahas Çerjes e  Hadërajt, që banoheshin në antikitet nga amantinët.

Në vitin 1963, kalaja e kësaj qyteze, një nga elementët më të mirëmbajtur të saj, ka marrë statusin e trashëgimisë kulturore. Por, kjo konsiderohet e pamjaftueshme, sepse në statusin aktual, mungojnë investimet dhe kujdesi i duhur për transformimin e saj, në standarde të pranueshme dhe të vizitueshme nga turistët. Sipas arkeologëve, Olimpe është populluar nga fiset ilire qysh në epokën e bronxit, gjë që e bën atë mjaft interesante, krahas Amantias, e themeluar në shekullin V para Krishtit, që ndodhet shumë pranë saj. Të dyja së bashku, ato mund të shndërrohen në një hapësirë funksionale me interes për turistët e huaj, që gjatë viteve të fundit, kanë qenë në rritje.