Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 09:44

Prishtinë – Prishtina sivjet do të jetë nikoqire e dy panaireve të librit. I pari do të mbahet në maj, organizuar nga Unioni i Botuesve të Kosovës, ndërsa i dyti në qershor, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Dy drejtuesit e botuesve, thonë se panairi që ata organizojnë është legjitim.

Panairi i librit, i cili organizohet nga Unioni i Botuesve, do të hapet më 4 maj, ndërsa ai i Shoqatës së Botuesve më 7 qershor.

Kjo përçarje mes botuesve të Kosovës, ka bërë që të ketë dy panaire të njëpasnjëshme, por që nuk dihet nëse do të sjellin rezultate të mira.

Drejtuesi i Unionit të Botuesve, Behxhet Bici, thotë se kanë qenë të kufizuar për të dhënë ide të reja, prandaj edhe janë shkëputur nga shoqata e botuesve duke shtuar se panairet e kaluara kanë pasur shumë mangësi.

Bici shprehu bindjen e tij se ministria e kulturës është përkrahëse e këtij panairi.

Ndërsa, për 13 vjet me radhë, në Prishtinë organizohet panairi tradicional i librit.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Daut Demaku, tha se ka dëgjuar që do të këtë edhe një tjetër panair të librit, të cilin nuk do ta përkrahin. Ai tha se Kosova nuk ka nevojë për dy panaire librash të njëpasnjëshëm.

Edhe Demaku thotë se panairi i librit “Prishtina 2011”, do të mbështete nga ministria e kulturës.

Por, Haqif Mulliqi, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, tha se ende nuk kanë vendosur se cilin nga këto dy panaire do të mbështesin. Megjithatë, Ministria e Kulturës shpreson që Shoqata e Botuesve dhe Unioni i Botuesve, të organizojnë një panair të përbashkët.

Zyrtarë të ministrisë thonë se panairet e organizuara në një hark kohor vetëm prej një muaji, nuk u sjellë dobi as qytetarëve dhe as organizatorëve.