Lajme Shqip Sunday, 16 December 2012 18:46

TIRANË – Libra të rinj, të autorëve shqiptarë e të huaj, në lidhje me historinë e Shqipërisë apo personaliteteve historike, janë botuar këtë javë në vazhdën e shumë botimeve historike për 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Djalli në qytetin e bardhë”, nga Erik Larson. Në Çikago, në fund të shekullit XIX, në mes të tymit të industrisë dhe zhurmës së trenave, jetonin dy njerëz, që të dy të pashëm, që të dy me sy të kaltër dhe që të dy ekspertë në profesionet e zgjedhura. Secili përvetësonte një element të një dinamike të lartë që karakterizonte “nxitimin” e Amerikës drejt shekullit XX. Njëri ishte arkitekt, ndërtues i shumë prej strukturave më të rëndësishme të Amerikës, ndërmjet tyre Flatiron Building në New York City, ndërsa tjetri ishte një vrasës, një nga më famëkëqijtë në histori dhe përfaqësues prototip amerikan, një vrasës serial urban. Libri është një botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG” dhe kushton 1200 lekë.

“Misteret e Shënmjegullës”, nga Namik Sali Jahaj. Libri i shkrimtarit Namik Sali Jahaj sjell për lexuesit vijimisht në ditët tona rrëfimet, këngët, mortet, gojëdhënat, legjendat dhe baladat e vendlindjes në Lumin e Vlorës. Në brendësi të librit të Jahajt gjendet edhe novela “Ismail Qemali në sofrën e Mesapalikut”. Libri është një botim i “AlbPeper” dhe kushton 700 lekë.

“Letrat e Shekspirit” nga Alan Stewart. Libri  përqendrohet në specifikën historike të asaj që autori e quan ‘gramatika e letrave’ të tij: një fjalor dhe një seri imazhesh që e kanë burimin në praktikat materiale të kulturës së shkrimit të letrave në Anglinë e hershme moderne. Thënë ndryshe, ndonëse Shekspiri sjell një sfond që nis nga luftërat e Trojës, përmes Romës dhe Britanisë së lashtë, kultura e letrave që ai paraqet, është prerazi ajo e Anglisë Elizabetiane. Libri është botuar nga “Plejad” dhe kushton 1200 lekë.(LajmeShqip.com)