Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 11:00

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Të pavdekshmit përgjithmonë” nga  Alyson Nowl. Para aksidentit, Ever Blum ishte një adoleshente si gjithë të tjerat. Ajo ka humbur të gjithë familjen në këtë episod tragjik dhe fiton papritmas një dhunti të tmerrshme: Atë për të lexuar në mendjet e njerëzve, të shikojë ndjesitë dhe të njohë jetët e tyre duke i prekur. Atëherë ajo mbyllet në vetvete dhe i shmanget kontakteve. Dehmëni është misterioz, shumë i bukur, gjithë nur dhe njeriu i vetëm të cilit ajo nuk mund t’ia lexojë mendimet. Asnjeri nuk e di me të vërtetë kush është ajo dhe nga cili vend vjen. E vetmja gjë për të cilën Ever është e sigurt është që ka rënë thellësisht dhe pashërueshmërisht në dashuri me të. Romani është botuar nga “Bota Shqiptare”.

“Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit nga Shaban Sinani. Me këtë libër të Dritëro Agollit, autori e merr krijimtarinë e Agollit prej gjenezës së saj, e inkuadron atë saktësisht në epokën përkatëse, e shikon atë së brendshmi përmes analizës së imët të tekstit e paratekstit (te romanet), e dimensionon atë në rrafshin historik-krahasues me vëzhgime të sakta kulturologjike e ndërtekstuale dhe ftillon me sukses rrethanat e mundshme të rileximit të këtij autori. Libri i Shaban Sinanit trajton duke filluar nga poezitë dhe sprovat e para, deri te drama e tij e rigjetur “Baladë për një grua” është homogjenizuar me një ligjër të rrjedhshëm. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Naimi” dhe kushton 800 lekë.

“Historia e Italisë” nga Pierre Milza. A duhet filluar historia nga rënia e Perandorisë Romake? Apo duhet të merret si pikënisje themelimi i qyteteve të lira dhe i republikave detare në Mesjetë? Apo mos ndoshta lipset filluar nga gjysma e dytë e shekullit të tetëmbëdhjetë, kur përshfaqen edhe shenjat e para të ndjenjës kombëtare dhe nis të lulëzojë stina e madhe e Risorxhimentos, lëvizjes për bashkim kombëtar? Pikërisht kjo e fundit qe teza mbizotëruese në një diskutim të madh për këtë temë në vitet ’20. Pierre Milza ka përdorur perspektivën e periudhës afatgjatë dhe ka vënë gadishullin si protagonist të historisë që nga lashtësia deri në dhjetëvjeçarët e fundit. Libri është botuar nga “Dituria”.

“Shqipëria, vëllimi III” nga Fulvio Kordinjano. Kjo është Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit italian Atë Domeniko Pazi (1847-1914). Në mes të një morie besimesh dhe të një morie ritesh magjike e turmash supersticioze është zhvilluar vepra e madhe misionare e Atë Pazit. Spikatin midis të tjerave, përbri Sunizmit ortodoks dhe zyrtar, i cili ishte dashakeq dhe përndjekës, besimi dhe supersticionet e Rufaizmit, çka tërhoqi vëmendjen e misionarit në rajonin e Gjakovës dhe që është përshkruar me gjuhën fantazmagorike dhe fabuliste të dervishëve. Libri është një botim i ‘Plejad” dhe kushton 1000 lekë.