Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 14:45

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë, duke iu shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Shqipëria” nga Ben Blushi. Romani është një metaforë për Shqipërinë e sjellë përmes një njeriu që donte të zëvendësonte Zotin. Autori tregon se si shqiptarët i lejuan njërit prej tyre të bëhej Zoti i tyre, duke i ndarë nga bota, prona dhe familja. Libri nuk është historik, por artistik dhe shpjegon se duke mohuar lirinë, dashurinë dhe dashurinë ndër shekuj, shqiptarët kanë mohuar Zotin. “Shqipëria” është një botim i “Mapo” dhe kushton 1000 lekë.

“Aranitët” nga Zana Shuteriqi Prela. Shkrimtari dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi kishte punuar mbi 30 vjet mbi një monografi për Aranitët, por nuk arriti ta botonte. Testamenti i tij shkencor përmbushet nga familja.  Studimet mbi familjen e njohur shqiptare të mesjetës, janë përmbledhur në një libër, përgatitur nga e bija e profesorit, Zana Shuteriqi Prela, ku jepet një përgjigje për sa i përket gjenezës së emrit të kësaj familjeje fisnikësh shqiptarë, gjenealogjisë së trungut të tyre fisnor si dhe zotërimet e tyre në territoret shqiptare deri në vitin 1467, raportet e tyre me Skënderbeun, etj. Libri është botuar nga “Toena” dhe kushton 1000 lekë.

“Mbi marrëdhëniet ekonomiko-tregtare të Shqipërisë” nga Eqrem Beci. Një nga inxhinierët më të njohur për shpim-shfrytëzimin e vendburimeve të naftës e gazit bën një analizë ekonomike të Shqipërisë gjatë 45 viteve të diktaturës. Autori nuk ka pasur si qëllim t’u japë të interesuarve, studiuesve, analistëve, ekonomistëve dhe lexuesit të gjerë një pasqyrë përmbledhëse të këtyre problemeve, megjithatë, secila pjesë mund të përbëjë interes të studiohet, të analizohet e të thellohet nga specialistët dhe studiuesit e interesuar të fushave përkatëse. Ky libër është një botim i shtëpisë botuese “Dituria” dhe kushton 1000 lekë.

“Shteti epiriot; sh. XIII-II para e.s” nga Arsim Spahiu. Libri më i fundit i studiuesit dhe doktorit të shkencave të historisë, Arsim Spahiut, vjen si një kundërpërgjigje e një sërë aludimesh greko-sllave mbi prejardhjen e vërtetë të helenëve epirotë dhe serbëve. Nëpër faqet studimore të kësaj vepre, studiuesi ka sqaruar me fakte të reja, mbështetur në një literaturë krejtësisht të huaj (kryesisht anglofone dhe frankofone), dilemën e madhe e të qenit helenë dhe epirot. Libri është botuar nga “Adel Print” dhe kushton 700 lekë.