Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 08:30

Tiranë – Helena Kadare, Romeo Çollaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Viola Isufaj dhe Persida Asllani do të marrin pjesë në Panairin e librit në Lajpcig të Gjermanisë, që do të mbahet në datat 14 deri në 17 mars.

Sa u takon botuesve, deri tani janë emrat e katër shtëpive: Dituria, Argeta LMG, Onufri dhe Ombra GVG. Secila shtëpi botuese do të ekspozojë atje botimet e veta më përfaqësuese, ndërsa mësohet se hapësira dedikuar botimeve shqip këtë vit është më e madhe, rreth 24 metra katrorë.

Me grupin e njerëzve të librit do të jetë edhe një kuartet, që do të luajë muzikë. Shkrimtarët shqiptarë do të mund të lexojnë pjesë nga librat e tyre dhe do të mund të takojnë lexuesit. Për këtë aktivitet, i cili konsiderohet si një nga më të rëndësishmit, bëhet e ditur se në këtë panair do të flitet për letërsinë bashkëkohore shqipe, duke përfshirë edhe letërsinë e atyre shkrimtarëve që nuk do të jenë të pranishëm.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria merr pjesë në Panairin e librit në Lajpcig, ndërkohë që Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka nënshkruar një marrëveshje trevjeçare me Ministrinë e Kulturës për prezantimin në këtë  Panair.

Helena Kadare është fituesja e çmimit “Shkrimtarja e vitit” në Panairin e Librit Shqip në nëntor të vitit të kaluar, kur edhe prezantoi kujtimet e saj përkrah Ismail Kadaresë, nën titullin “Kohë e pamjaftueshme”.

Një vit më parë në një sipërfaqe 16 metra katrorë u prezantuan pesë shtëpi botuese (“Dituria”, “Onufri”, “Ombra”, “Neraida” dhe “Fan Noli”) dhe pesë shkrimtarë relativisht të rinj, por të afirmuar Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Ardian Kyçyku, Agron Tufa, Ledia Dushi e Albana Shala. Shqipëria mori pjesë për herë të parë me një stendë, ku dhe në mbrëmjen me titullin “Ballkani bën rrok” Shqipëria u prezantua edhe nga ana muzikore me grupin “Akustika”.

Panairi Ndërkombëtar i Librit “Leipzig 2011”, është një ndër panairet më të mëdha të librit në botë. Me një tradite rreth 4 shekullore ky eveniment mbledh botues, shkrimtarë dhe njerez te letrave nga e gjithë bota. Në vitin 2010 janë regjistruar 156.000 vizitorë dhe 2071 botues nga 39 vënde.