Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 21:50

Tiranë- Romani i shumë shitur i Fatos Kongolit, “Lëkura e qenit”, përmes së cilit ai e sheh botën në një këndvështrim tjetër, është botuar në gjuhën esperanto.
Libri, i përkthyer nga esperantisti polak Tomasz Chmielik në bashkëpunim me esperantistin shqiptar Bardhyl Mezini, u promovua paraditen e sotme në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Edhe pse “Lëkura e qenit” është përkthyer në shumë gjuhë europiane, vetë autori tha se nuk kishte menduar ndonjëherë se libri i tij do të përkthehej në esperantisht. “Provova kënaqësi, por me një lloj pasigurie sepse ishte një gjë shumë e bukur për të qënë e besueshme”, tha Fatos Kongoli.

Romani “Lëkura e qenit”, “Hundo hauto” në esperantisht, është botuar  disa gjuhë të huaja, mes të tjerash në frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, polonisht, etj.
Përkthyesi Chmielik, gjatë promovimit të librit, tha se e ka lexuar tre herë librin në polonisht dhe se për të qe një surprizë e madhe dhe zbuloi se njerëzit dashurojnë, mendojnë dhe ndjejnë njësoj. “Mesazhi universal i librit konsiston në fatin e intelektualëve”, tha esperantisi Tomasz Chmielik.
Gjithashtu ai tha se duke lexuar librin e Kongolit zbuloi jo vetëm realitetin shqiptar, por filloi të krahasojë jetën e tij duke u munduar të gjejë diçka të përbashkët me jetën në Poloni dhe konstatoi se ka të tilla. “Libri është shpërndarë në të gjithë Europën, në Brazil, në Japoni e deri në Madagaskar”, tha Chmielik.

Përkthimin e librit në gjuhën esperanto e përshëndeti edhe akademiku Myzafer Korkuti, sipas të cilit edhe ky përkthim tregon vlerën e shumëanshme që ka libri “Lëkura e qenit”.
“Lëkura e qenit” është një histori dashurie e rishfaqur në tri breza, një takim plot pikëpyetje e të panjohura me mijëvjeçarin e ri, një përpjekje për t’u çliruar nga dhembjet e së kaluarës. Në një botë halucinante, e vetmja shpresë shpëtimi për individin mbetet dashuria njerëzore.
Ky roman i dha shkrimtarit Fatos Kongoli “Pendën e argjendtë” në vitin 2003. Ndërsa  në qershor të vitit 2006 botimi në gjuhën gjermane i romanit “Lëkura e qenit” u përzgjodh si “Libri i muajit” nga librarët e Gjermanisë.

Esperantistja flitet nga rreth 2 milione njerëz në botë. Sipas esperantistëve, ajo është një gjuhë e thjeshtë që ndihmon për të mësuar edhe gjuhët e tjera, por ajo ndeshet me presionin politik nga anglishtfolësit. Në esperantisht është botuar libri për Skëndërbeun nga Cuk Simoni, ndërkohë që do të botohet dhe libri “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë dhe “I humburi” i Kongolit. (LajmeShqip.com)