Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 13:21

Tiranë – Pretendenti i fronit mbretëror të Shqipërisë, Leka Zogu I ndërroi jetë sot në Tiranë, në moshën 72 vjeçare.

Leka Zogu I, djali i vetëm i Mbretit Ahmet Zogu, lindi më 5 Prill 1939 në Tiranë, dy ditë para pushtimit të vendit nga Italia fashiste.

Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore në Egjipt, në vitin 1946, Princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954.

Pas transferimit të Familjes Mbretërore në Francë, në vitin 1955, Princi Leka tashmë 16 vjeçar, regjistrohet në kolegjin e famshëm “Vilare Ailange Kolegie” të Olon-it, në Zvicër, ku mori edhe diplomën “Matriculation of Oxford” në vitin 1956.

Në vitet 1956-1958, Princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera mori titullin oficer, me gradën toger. Në vijim, ai studioi për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Më 5 Prill 1957, me rastin e 18 vjetorit të lindjes, në prani të personaliteteve më të njohura të botës shqiptare në emigracion dhe të miqve të huaj nga më të shquarit, Mbreti Zog, pasi e dekoroi personalisht me Kolanin e Shqipërisë e shpalli solemnisht Princin Leka i Parë “Trashëgimtar të Kurorës Mbretërore Shqiptare”.

Ndërsa më 15 Prill 1961, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata, Asambleja Provizore e mbledhur zyrtarisht, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, e shpalli dhe e kurorëzoi unanimisht Princin Leka si “Mbret i Shqiptarëve”.

Pas kësaj, në përputhje me nenin 56 të Statutit, Sovrani i ri bëri betimin formal kushtetues si Mbret i Shqiptarëve. Leka Zogu u përkushtua për përmbushjen e detyrimeve prej Sovrani para bashkatdhetarëve në mbarë Evropën dhe në vendet arabe gjatë 5 viteve të para pas kurorëzimit (1961-1966).

Në vitin 1967, veprimtaria politike e tij në dobi të çështjes kombëtare dhe intensifikimi i kontakteve me bashkatdhetarët, njohën kulmin pas vizitës që kreu në SHBA-të në verën dhe vjeshtën e këtij viti.

Në vitin 1972, Pretendenti i Fronit Mbretëror bëhet nismëtar i zhvillimit të Kuvendit të Madridit, i cili kishte për qëllim bashkimin e të gjitha forcave politike të emigracionit politik dhe jopolitik shqiptar, nën moton e famshme “Atdheu mbi të gjitha”.

Viti 1975 shënoi ngjarjen më të rëndësishme në gjirin e Familjes Mbretërore dhe garantoi trashëgiminë e kurorës së Dinastisë Mbretërore shqiptare nëpërmjet martesës së Leka Zogut të Parë me Mbretëreshën Susan.

Pretendenti i Fronit bëri një përpjekje të parë për të ringjallur dhe ushqyer idenë e monarkisë në fillim të viteve ’90.

Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm dy ditë jetë, në prill të 1939, ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat. Leka Zogu I u rikthye përfundimisht, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri në qershor të vitit 2002.

Prej kohësh, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, Leka Zogu i Parë ishte tërhequr thuajse plotësisht nga jeta aktive politike dhe shoqërore. Në vend të tij funksionet publike kryhen nga i biri, Princ Leka dhe drejtuesit e Partisë së Legalitetit, të cilët janë pro monarkisë.