Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 23:22

Tirane- Aktori, regjisori dhe dramaturgu Sheri Mita u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 69 vjeçare.

Sheri Mita lindi në fshatin Fterrë të rrethit të Sarandës, më 14 mars 1943. Megjithëse gjatë gjithë kohës si hije e ndiqte emigracioni i të atit në Amerikë, Sheri kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, më 1967. Më pas punoi si aktor në teatrin “Skampa” të Elbasanit (1967-1968), në Teatrin Popullor (1972-1976) dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve (1966-1967); si regjisor i Estradës së Beratit (1976-1988), i Cirkut të Tiranës (1988-1993), regjisor, drejtor dhe më pas udhëheqës artistik i Estradës së Tiranës (1996-2004).

Sheri Mita është një artist me përvojë mbi 40-vjeçare, me një krijimtari shumë të pasur dhe të larmishme, një artist shumë i njohur i skenës së Teatrit dhe Kinematografisë. Ai është poliedrik në krijimtarinë e vet të pasur.

Luajti si aktor në teatër disa role kryesore si: “Shtëpia në bulevard” e F. Paçramit, Muhameti “Fytyra e dytë”, e D. Agollit, po ashtu në kinematografi, ku spikati me interpretimin e tij dinamik në rolet Vili Heler (filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Xhelo Paterica, filmi “Yjet e netëve të gjata”, Qendro Hurdha, filmi “Vitet e pritjes”,  si dhe në filmat televizivë “Oreksi i madh” dhe “Çanta e zezë”, si dhe në filmat “Ballë për ballë”, “Operacioni zjarri”, “Gjeneral Gramafoni, “Skëterrë 43”, “Vetmi”, “Përdhunuesit”, “Nata e parë e lirisë”, “Familja ime”, “Në fillim të verës”, etj.

Si regjisor ka vënë disa pjesë në Teatrin e Beratit, ndër to edhe dramën “Dy krisma në Paris” (bashkautor me P. Kullën), e cila përuroi edhe ngritjen e Teatrit Profesionist të qytetit, duke vijuar më pas me vënien në skenë të pjesëve “Vajza optimiste”, “I çuditshmi”, kurse në Estradën e Tiranës dhe Teatrin e Korçës vuri në skenë komedinë “Divorci”. Nga shfaqjet që shënuan sukses në Estradën e Beratit përmenden “Gjuetari i thëllëzave”, “Kontrolli i cilësisë”, “Dhuratat”.

Sheri Mita njihet si autor i disa pjesëve skenike, por veçohet komedia “Këshilli i ndrikullave”, e vënë me sukses në teatrin “Migjeni” të Shkodrës nga regjisori Serafin Fanko. Vepra u shqua për krijimin e një situate gazmore si dhe disa tipave komikë, Leos dhe tri ndrikullave, përmes të cilëve u shpotit zakoni i vjetër i martesave me mblesëri, sikundër edhe vesi i marrjes nëpër gojë, etj.

Ai ka fituar disa çmime, ku përfshihen Çmimi i Dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë me rastin e 30-vjetorit të Ushtrisë, me komedinë “Familja e madhe”, 1971, çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë në vitin 1983 me dramën “Dy krisma në Paris”; Çmimi i Dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë në vitin 1974 me dramën” Vite të paharruara”.

Në vitin 2004 i është dhënë Urdhri “Naim Frashëri i Artë”, ndërsa në vitin 2007 iu dha titulli “Qytetar nderi i krahinës së Lukovës”, në rrethin e Sarandës.