Lajme Shqip Saturday, 15 August 2015 12:24

Një punim dore, këllëf dysheku, i prodhuar nga artizanet e Hasit të Prizrenit, shumë vjet më parë do ta mahniste aktoren me famë botërore, Gina Lollobrigida. Tablonë me punimin e dorës të varur në murin e zyrës së Monique de Fontanes, asokohe drejtoreshë e Departamentit të Evropës të Muzeut të Njeriut (Musse de L’Home) në Paris, aktorja, fotoreporterja e skulptorja italiane e kishte kujtuar për pikturë të Picassos.

Këtë fakt e ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” etnografja e njohur shqiptare, prof. dr. Afërdita Onuzi. Së voni ajo e ka takuar Monique de Fontanes, e cila ia ka kujtuar vizitën e artistes në zyrën e saj. Për të kjo është vetëm një pjesë e asaj që dëshmon se zona e Hasit si në Kosovë, por edhe në Shqipëri me veshjen tradicionale është ndër zonat më të veçanta në Evropë dhe në Ballkan.

Gina Llollobrigida përballë dyshekut të Hasit

“Kam kërkuar në muzetë më të njohura në Ballkan e Evropë, por nuk kam hasur askund dekor të tillë asimetrik, siç e ka zona e Hasit. Këmishët e kësaj zone janë dekoret më të realizuara dhe më të veçanta në të gjitha trevat mbarëshqiptare”, thotë Onuzi.