Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 09:15

Kukës – Afrimi i 16 prillit kur kosovarët nisën marshimin drejt qytetit të Kukësit për të përkujtuar eksodin e vitit 1999, nuk ka ndikuar në përshpejtimin e punës për ngritjen e muzeut të Kukësit, ndonëse punimet për ndërtimin e tij kanë përfunduar prej 3 muajsh.

“Edhe pse punimet nga firma ndërtuese “AK” Sh.P.K. janë kryer me një ritëm e cilësi të lartë, gjë që ka përshpejtuar ritmet e vënies në shërbim të turistëve, që vizitojnë këtë zonë në stinën e dimrit, muzeu ende nuk mund të vihet në shërbim të vizitorëve, pasi është ende bosh”,- pohojnë burime zyrtare të bashkisë së Kukësit.

Të njëjtat burime pohojnë se, “është punuar pak nga specialistët për mbledhjen e materialeve dokumentare, që duhet të ekspozohen, gjë që ka penguar hapjen e muzeut të ri”.

Ndërtimi i muzeut nisi në muajin korrik të vitit të kaluar përmes një fondi prej afro 15 milionë lekësh akorduar nga PNUD-i.

Muzeu i ri u ndërtua në qendër të qytetit të Kukësit, ngjitur me memorialin e mirënjohjes që përkujton mikpritjen kuksiane të kosovarëve në pranverën e vitit 1999, kur qyteti e fshatrat përreth tij mirëpritën brenda 2 muajve rreth 412 mijë kosovarë të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre. Të dy këto objekte muzeale përbëjnë një kompleks muzeal mjaft të rëndësishëm për tërheqjen e turistëve në këtë zonë.

Ndërtimi i muzeut të ri u bë i domosdoshëm, pasi në fillim të viteve’90 nuk dihet se për çfarë arsyeje muzeu historik i mëparshëm i këtij qyteti, një godinë dy katëshe e mjaft efikase, u privatizua, ndërsa pjesa më e madhe e materialit muzeal humbi. Kjo ka bërë që edhe hapja e muzeut të ri të zvarritet për mungesën e materialit muzeal.