Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 08:48

Kukës – Ka patur nje tendencë në rënie te  veprimtarisë kriminale në qarkun e Kukësit  gjatë këtij viti. Kjo është evidentuar në analizën vjetore të drejtorisë së policisë së qarkut, ku  merrnin pjesë edhe  përfaqësues nga ministria e Brendshme, pushtetit vendor, prokurorisë, gjykatës etj.

Në raportin e  drejtorit të drejtorisë së policisë së qarkut,  Sadri Ramcaj, u vu theksi në përmirësimin e ndjeshëm  të performancës së  shërbimit policor në shërbim të komunitetit, gjë që nënkupton rritjen e treguesve në goditjen e krimit, grumbullimit të vlerave pozitive,  në përmirësimin e  komunikimit  dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të efektivit.

“Komuniteti ka të drejtë t’i kërkojë shërbimit  të policisë  të njëjtat standarde  si të  banorëve të komunitetit evropian”, tha Ramcaj.  Veç kësaj, ai ka përmendur bashkëpunimin efikas me shërbimin policor të Kosovës, gjë që ka rritur më shumë  luftën kundër veprave të ndryshme kriminale  që janë më shqetësuese në të dy vendet.

Drejtori i policisë së qarkut bëri të ditur se, “gjatë këtij viti janë evidentuar 320 vepra penale, prej të cilëve  247 janë të  zbuluara. Në këto vepra penale janë të implikuar 352 autorë, prej të cilëve 63 janë ndaluar, 252 ndiqen në gjendje të lire dhe 37 janë shpallur në kërkim, me një zbulueshmëri prej  76 përqind”.

Rënie të ndjeshme ka krimi kundër personit. Kështu, nga 10 raste të shfaqura vitin e kaluar, gjatë këtij viti  janë evidentuar vetëm 3 raste.  Gjatë këtij viti janë evidentuar 50 vepra penale të krimit financiar  me 52 autorë, prej të cilëve  48 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa  4 persona janë arrestuar.

Prefekti i Kukësit, Elez Maci, e vuri theksin në vazhdimin e  bashkëpunimit me të gjitha strukturat   shtetërore  në luftën kundër krimit. Ndërsa nga punonjës të policisë u  vu theksi në bashkëpunimin me komunitetin si nje faktor  ndër më kryesorët në  efektivitetin e luftës së pandërprerë kundër  veprimtarisë kriminale.