Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 18:30

Kukës – Braktisja e shkollës, një nga fenomenet më shqetësuese të sistemit arsimor 9-vjeçar në rrethin e Kukësit, synohet të arrijë në nivelin zero brenda këtij viti shkollor. Duke e bërë të ditur këtë fakt, drejtori i drejtorisë rajonale të arsimit, Ylli Metalia, tha se, “aktualisht ky tregues arrin në  vetëm 84 nxënës, ose 0,87 % nga  3,3 % që ishte ky tregues 6 vjet më parë në qarkun e Kukësit”. Në këtë drejtim ndikim pozitiv kanë ushtruar zbatimi i projekteve si “Braktisja fizike në shkollë”, apo “Konsolidimi i zgjerimi i pjesëmarrjes së prindërve në arsim”, gjë që ka sjellë angazhimin edhe të prindërve në proçesin e eliminimit të fenomenit të braktisjes së shkollës.

Braktisja e shkollës, një fenomen shqetësues deri pak vite më parë, tashmë  po shkon drejt eliminimit të plotë të tij, pavarësisht se ende është i pranishëm, ndonëse në parametra minimalë. Pavarësisht kësaj, po vazhdon  bashkëpunimi me pushtetin vendor me synimin e eliminimit të plotë të këtij fenomeni negativ.

Fenomeni është ende i pranishëm, kryesisht në zonat rurale të rajonit për shkak të problemeve ekonomike, apo të problemeve sociale, ku fëmjët përdoren ndjeshëm për probleme të ndryshme të familjes. Është kjo arsyeja që në këtë rajon ende është mjaft i pranishëm edhe fenomeni i ashtuquajtur “Braktisje e fshehtë”, që nënkupton që shumë fëmijë janë të pranishëm vetëm në të rrallë në shkollë, por në fund ata klasifikohen.