Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 16:10

Kukës – Drejtues të arsimit, të shkollave të ciklit parauniversitar, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe drejtues të ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ishin sot pjesëmarrës në konferencën rajonale “Arsimi na përket të gjithëve”, zhvilluar në qytetin e Kukësit.

“Një nga standardet dhe objektivat e BE-së është ulja nën 10 për qind e të rinjve të moshë 18 – 24 vjeç që nuk vazhdojnë arsimin e lartë dhe këtij standardi ne po i afrohemi, pasi numri i studentëve tashmë ka arritur në mbi 140 mijë, krahasuar me 55 mijë të tillë në vitin 2005”, tha në fjalën e tij zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata.

Shamata foli edhe për reformën në arsim, e cila, tha ai, synon rritjen e cilësisë mësimdhënëse si dhe angazhimin në këtë proces edhe të komunitetit.

Ai bëri të ditur gjithashtu se për të ndihmuar vazhdimin e studimeve të larta për të gjitha nivelet po shihet mundësia e akordimit të kredive arsimore për degët ku studentët mund të punësohen dhe jo thjesht që ata të vazhdojë studimet e larta pa ndonjë synim.

Shamata përsëriti edhe një herë prioritetin që i është dhënë së fundmi arsimit të mesëm profesional, të cilin ai e vlerësoi të rëndësishëm për tejkalimin  e krizave.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Elez Maçi tha se në këtë stad kërkohet një filozofi e re, pasi aktualisht, tha ai, vuajmë koston e lartë të arsimit, klasat kolektive, etj. Maçi vlerësoi  si arritje për qarkun arsimin e lartë, pasurimin e vazhdueshëm të bibliotekave shkollore, rritjen e financimit në arsim, etj.

Në përmirësimin e proçesit mësimor – edukativ në shkollat e qarkut të Kukësit, ndikim pozitiv ka dhënë bashkëpunimi i vazhdueshëm me UNICEF, bashkëpunim i konkretizuar me disa projekte të rëndësishme, mes të cilave ai për hartimin e zbatimin e OMDN-ve dhe planin vjetor të shkollave “për braktisjen  e shkollës”,  “konsolidimi e zgjerimi i pjesëmarrjes së prindërve në arsim, ndërhyrjeve të shënjestruara të zhvillimit  institucional”, etj.