Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 17:34

TIRANË – “Në 28 nëntor 1912 burri i shtetit që ngriti flamurin e pavarësimit shqiptar, nuk pati mundësi të kishte një ndërtesë si ajo që ka sot në Tiranë diplomacia shqiptare, me mbi njëqind zyra dhe salla të mëdha, me një nga arkivat më të mira në Shqipëri, me punonjës dhe seli në dhjetëra vende të botës. Si ministri ynë i parë ai kishte vetëm një dhomë, por kjo ia shton nderin dhe na e shumon respektin për të”, tha sot ministri i Jashtëm Edmond Panariti, në promovimin e librit në anglisht “The memoirs of Ismail Kemal Bey”.


Libri i promovuar nën kujdesin e Ministrit Panariti me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë është përgatitur për shtyp, si dhe është pajisur me një analizë shpjeguese nga stërnipi i Ismail Qemalit, z. Darling Vlora.
Në ceremoninë e promovimit ishin të pranishëm mjaft diplomatë të përfaqësive të huaja në Tiranë, punonjës të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, studiues dhe gazetarë, si edhe pasardhës të familjes së themeluesit të Shtetit tonë.


Ministri Panariti në fjalën e tij theksoi se, “personi që e nxiti Ismail Qemalin të rrëfente jetën dhe veprimtarinë e tij politike ishte gazetari amerikan William Morton Fullerton. Ai përgatiti botimin e parë, të kryer më 1920, një vit pas  ndërrimit të jetës të burrit tonë të shtetit. Fullerton po ashtu gjeti edhe shkruesin e këtyre memuarëve, mikun e tij, britanikun Sommerville Story, i cili qe në Paris gazetar i redaksisë së gazetës “Times””.


“Të dy këta angloamerikanë, si për një simbolikë dhe domethënie të qartë të një miqësie të vjetër e të vazhdueshme me Perëndimin, bënë që libri jo vetëm të shkruhet dhe të botohet kur protagonisti nuk ishte më në jetë, por edhe të publikohet në gjuhën angleze, më të përhapurën në botë. Me në qendër një protagonist, të cilin gazetari dhe studiuesi William Morton Fullerton e ka përcaktuar: “Kam njohur shumë njerëz të mëdhenj, por të rrallë janë ata që mund të krahasohen me plakun e urtë shqiptar, Ismail Qemal Bej”, libri u ribotua menjëherë”, u shpreh Panariti.


Ministri Panariti, vuri në dukje se, “Sommerville Story në një libër të tij, ’20 vjet në Paris me penë’, në kapitullin për pesë burrat më të famshëm që pati takuar, për Ismail Qemal Vlorën shkruante se “ishte shumë i përpiktë për ato që donte të përfshiheshin në librin e kujtimeve dhe për ato që duheshin lënë jashtë. Këto të fundit, zakonisht ishin pjesët më interesante dhe përbënin një burim të jashtëzakonshëm për një shkrimtar. Po kujdesi i tij që ato të mos përfshiheshin në libër, ishte edhe më i jashtëzakonshëm. Ismail Qemali ishte i mendimit se në kujtimet politike duhet të përfshihen vetëm ngjarje serioze. Ismail Qemalit nuk i pëlqente të fliste për veten pasi i dukej se mburrej, prandaj edhe puna për të shkruar kujtimet e tij zgjati më shumë sesa unë kisha parashikuar, pasi ndonjëherë më duhej t’ia nxirrja fjalët thuajse një nga një”.


Por ndërkohë, vijoi Panariti, këto “Kujtime” në anglisht kanë edhe një histori të tyren të përkthimit në gjuhën shqipe, ku i pari u krye në Kanada, në vitin 1968 dhe përkthyes ishte Reshat Agaj, shqiptar i ditur nga Vlora, i emigruar në SHBA, në Kenosha të shtetit Uiskons.
“Në vitin 2008 shtëpia botuese “Toena” i ribotoi në shqip këto “Kujtime”, të cilat, duhet thënë, nuk u trajtuan me vëmendje dhe dashamirësi nga gjysmëshekulli i diktaturës. Nën kujdesin e Nermin Falaskit dhe të bashkëshortit të saj, diplomatit Renzo Falaschi, u përkthyen dhe u botuan në 1978 në italisht. U ribotuan më pas, në vitin 1992″, tha Panariti.


Ministri i Jashtëm Panariti, u shpreh se, “studiuesi dhe stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora, e boton këtë libër në anglisht pasi në vitin 2008 në shqip dhe anglisht ka publikuar dhe shoqëruar me një aparat mjaft shkencor librin tjetër të stërgjyshit të tij dhe shpallësit të madh të pavarësimit tonë, “Shqipëria dhe shqiptarët””.    

 
Darling Vlora, i cili e ka pajisur botimin edhe me një aparat të tërë shpjegues si edhe shumë artikuj gazetash me famë ndërkombëtare, e falënderoi posaçërisht ministrin e Punëve të Jashtme dhe nëpërmjet tij qeverinë shqiptare për mundësinë që i dhanë për të paraqitur para opinionit publik, në këtë jubile të 100-Vjetorit, këtë libër të Ismail Qemalit, i cili për herë të parë u publikua në anglisht, në Londër, që në vitin 1920. (LajmeShqip.com)