Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 16:00

Pejë -Karikaturisti kubanez Aristides E. Hernandez Guerrero – Ares, i njohur botërisht ka rrëmbyer “Grand Prix”, çmimin kryesor të festivalit ndërkombëtar të karikaturës “Kosova Award”, që u mbajt në qytetin e Pejës. Ky çmim ka pasur vlerën prej 5 mijë eurosh, ndërsa tema e sivjetme e festivalit ka qenë “Mos shqetëso”.

Vendin e parë në këtë festival me renome e ka marrë Vita Masi nga Italia, ndërsa të dytin Oguz Gürel nga Turqia. Vendi i treti i ka takuar gjermanit Rainer Ehrt.

Edicioni i sivjetmë është organizuar për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe  për këtë është ndarë edhe çmimi “Përtej”. Me këtë çmim u nderuan kolombiano – spanjolli, Omar Figueroa Turcios, shqiptaro – italiani Agim Sulaj dhe Rainer Ehrt nga Gjermania.

Sivjet konkurrenca ka qenë e fortë. Fiks 1127 autorë nga 65 vende kanë marrë pjesë në këtë garë.

Qyteti i Pejës është pushtuar nga karikaturat dhe Karikaturistë nga të katër anët e botës. Ekspozita e madhe u hap të premten mbrëma. Rruga prej sheshit deri në galeri ka qenë paralajmërimi i ngjarjes. Aty janë ekspozuar karikaturat e Nexhat Krasniqit – Nekrës, organizator i kësaj ngjarjeje, e sivjet ka qenë shtrirë prej korrikut kur u hap ekspozita e tij dhe ajo e karikaturës kombëtare.(LajmeShqip.com)