Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 22:02

Tiranë – Kryeministri Berisha, në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit shtroi të premten në mbrëmje, një Iftar për besimtarët myslimane, në një prej rezidencave qeveritare.

Kjo darkë mblodhi së bashku shumë miq dhe të ftuar si, drejtues dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari i këtij komuniteti Haxhi Selim Muça, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë, drejtues të tjerë të bashkësive fetare në vend si, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,  Imzot Rrok Mirdita, Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Fitor Muça, përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vend, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe drejtues të shoqatave të ndryshme fetare.

I ftuar nga kryeministri Berisha, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça çeli Iftarin dhe më pas Kryeministri Berisha iu drejtua të pranishmëve me një përshëndetje:

“I nderuar  Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar,

I nderuar  Naim Tërnava, Kryetar i Bashkësisë  Islame të Kosovës,

I nderuar Afrim Tahiri, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Maqedonisë,

I nderuar Omer Kajosha, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Malit të Zi,

I nderuar Adan Ahmeti, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Preshevës,

Fortlumturia Juaj Kryepeshkop i Shqipërisë, Janullatos,

I nderuar Haxhi Babë Edmond Brahimaj,

Pastor, Fitor Muça,

Dom Henri,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të dashur miq,

Së pari dëshiroj dhe njëherë me shumë mirënjohje t’ju falenderoj, që pranuat ftesën të lutemi sëbashku në këtë iftar dhe ta kalojmë sëbashku.  Para së gjithash është një detyrë e imja dhe një nder i veçantë të përulem me nderim të madh para të gjithë atyre besimtarëve, të cilët në përkushtimin e tyre ndaj Zotit , agjeruan muajin e Ramazanit, në kushte të një vere ndër më të nxehtat. Pranuan sakrificën dhe privimin edhe nga pika e ujit, për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Zotit, për të dëshmuar virtytin e sakrificës mbi të cilën ndërtohen të gjitha mirësitë dhe arritjet e njeriut.

Ne jemi sot të mbledhur këtu nga të gjitha trojet shqiptarë, jemi të mbledhur këtu me përfaqësues të besimeve të tjera të mëdha, në dëshminë e shkëlqyer se besimi tek Zoti, përkushtimi ndaj atij, është besimi  dhe përkushtimi më suprem i njeriut. Me dëshminë se përkushtimi ndaj Zotit, është frymëzimi i madh për njeriun, për dashurinë, për tolerancën, për mirëkuptimin. Çdo besimtar burrë, grua, i përkushtuar ndaj Zotit ka rastin e madh të dëshmojë vlerat e mëdha të këtij besimi dhe përkushtimi.  Vlerat e mëdha të këtij vlerësimi dhe përkushtimi janë mirëkuptimi, toleranca, respekti i ndërsjellë për besimin e tjetrit.  Ne shqiptarët kemi një trashëgimi të shkëlqyer, e cila dora dorës vjen duke u bërë gjithnjë e më e njohur dhe dora dorës vjen duke u shpalosur gjithnjë e më shumë në Europë dhe në Botë.

Këtë vit, që kemi edhe vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë, në pavarësinë e shqiptarëve, në lirinë e shqiptarëve.  Këtë vit këtë 6 mujor, ne kryesojmë institucionin më të vjetër demokratik të Europës të pasluftës, Këshillin e Europës dhe ky është një nder shumë i madh për ne dhe një nga motot e këtij drejtimi që kemi përzgjedhur, është “Të bashkuar në diversitet” dhe këtë moto ne shqiptarët mund ta ilustrojmë bukur me trashëgiminë tonë shpirtërore, me respektin tonë të madh të ndërsjellë për besimin e  tjetrit, me tolerancën fetare të shkëlqyer që ne kemi.

Ndaj dhe unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju dhe përulem me nderim të thellë, ndaj të gjithë atyre, të cilët e shndërruan këtë muaj në muajin e  sakrificës fisnike, në muajin e përkushtimit të madh ndaj Zotit dhe vlerave hyjnore që frymëzojnë njeriun.

Dhe njëherë gëzuar dhe le te urojme që muaji tjetër i Madhërueshëm  i Ramazanin të na gjejë dhe më mirë, dhe më të përkushtuar, dhe të vendosur në rrugën e  Zotit.

Faleminderit.  ”. (LajmeShqip.com)