Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 15:49

Tiranë.- Kryeministri, Sali Berisha priti në një takim zotin Eqerem Zenelaj, Profesor i Shkencave Juridike dhe studiues i çështjes shqiptare, i cili në këtë takim shoqërohej edhe nga ambasadori shqiptar në Vjenë, Vili Minarolli, njoftoi zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Kryeministri Berisha vlerësoi punën e tij të çmuar, i cili ka kërkuar në 17 arkiva të shteteve të ndryshme dokumente historike që ndriçojnë kontributin e figurave shqiptare në aspekte të ndryshme, të gjuhës, historisë dhe të përpjekjeve për pavarësi.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha theksoi se duhet të ndriçohen shumë aspekte të historisë me dokumente dhe fakte.

“Historia, – u shpreh Kryeministri, – është shtyllë kryesore e dijes së një kombi dhe ai duhet ta dijë atë objektivisht. Ndaj ajo duhet shkruar duke iu përmbajtur parimeve dhe metodave shkencore”.

Studiuesi Zenelaj po përgatit një ekspozitë për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me temë “Figurat shqiptare në veprat e artistëve evropianë”, e cila do të organizohet nën kujdesin e Kryeministrit Berisha.

Kryeministri e quajti këtë punë të studiuesit si të shkëlqyer, pasi ka renditur figura të ndritura në panteonin e kombit.

Prof. Eqerem Zenelaj vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në çrrënjosjen e komunizmit në Shqipëri, në mbështetjen e pavarësinë e Kosovës dhe në progresin e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit.