Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 13:51

Prishtinë – Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë hapat e domosdoshëm, për mbrojtjen institucionale të trashëgimisë kulturore dhe historike, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Memli Krasniqi.

Ai këto komente i bëri pas takimit me shefin e ICO-s, Piter Feith, me të cilin kanë diskutuar lidhur me çështje që ndërlidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vend.

Krasniqi ka nënvizuar nevojën e bashkërendimit dhe përfshirjen e ekspertëve dhe profesionistëve në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore

Për më tepër, ai ka theksuar se institucionet vendore do të ndërmarrin hapat e domosdoshëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore-historike.

Nga ana e tij, shefi i ICO Piter Feith, duke potencuar si të rëndësishme fushën e trashëgimisë kulturore, ka kërkuar ruajtjen e pasurisë kulturore dhe asaj fetare.

“Kosova ka një kulturë të pasur unike, ka një histori të gjatë dhe të pasur ku popuj të ndryshëm kanë jetuar bashkë në shekuj dhe kjo duhet të ruhet dhe konferenca ishte e përqendruar në këtë çështje. Është me rëndësi për t’i paraqitur rezultatet e konferencës në mënyrë që të ngrisim vetëdijen te qytetarët e Kosovës te të gjitha përkatësive etnike që trashëgimia kulturore dhe religjioze duhet të ruhet”, ka thënë ai.