Lajme Shqip Tuesday, 27 November 2012 16:34

Prishtinë – Në 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Posta e Kosovës nxori pullën postare në të cilën janë vendosur figura e Isa Boletinit, Bajram Currit e Hasan Prishtinës.

Edicioni i 87-të i Postës së Kosovës sjell pulla postare me figurat e historisë sonë kombëtare: Isa Boletinit, Bajram Currit e Hasan Prishtinës.

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Sejdi Hoxha tha se kjo pullë postare do të paraqesë në botë imazhin e popullit shqiptar në përgjithësi.

“Nga 27 nëntori kur lancohet në qarkullim kjo pullë postare, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Bajram Currin i pret edhe një punë e re madhore- detyra e ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Kjo na jep mundësinë të prezantojmë në botë se ne jemi popull atdhedashës, popull me dinjitet bujar, popull që çmon dhe respekton vlerat e tij kombëtare”, tha Hoxha, transmeton koha ditore.

Posta e Kosovës, shpërndau pllakate të gravuara me pamjen e pullës së re postale për familjen Jashari e Boletini, për drejtorin e Postës së Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Qytetarët të cilët vendosin të përcjellin porositë apo urimet e tyre përmes kartolinave, nga nesër do të kenë mundësi të blejnë pullën e re të punuar nga Hyrije Ademi në çmim prej 1 euro.(LajmeShqip.com)