Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 06:15

Prishtinë – Është hapur sot në Prishtinë biblioteka e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në kuadër të manifestimit “Java e Bibliotekës në Kosovë”, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës i dhuroi FSK-së një bibliotekë, që u hap në Komandën e Forcës Tokësore në Prishtinë, në kazermën “Adem Jashari”. Fondi i librave të dhuruar është 3000 ekzemplarë.

Në ceremoninë e hapjes së Bibliotekës, merrnin pjesë ministri i FSK-së, Agim Çeku, veprimtari i çështjes kombëtare dhe shkrimtari Adem Demaçi, drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari, përfaqësues të KFOR-it, profesorë dhe punonjës të bibliotekave të Kosovës.

Ministri Çeku tha se nga sot “kemi 3000 armë të reja, 3000 libra janë armë të rëndësishme për ne në FSK”, duke shprehur bindjen se biblioteka e re do të pasurohet me tituj të rinj të autorëve kosovarë dhe të huaj.