Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 03:21

Prishtinë – Në ambientet e Teatrit Kombëtar, në Prishtinë sot pasdite u mbajt një akademi përkujtimore për Arbën Xhaferin, intelektualin e politikanin e përmasave kombëtare, i cili për shumë vite veproi e jetoi në Prishtinë.

Kjo akademi u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi Xhaferin si një nga personalitetet më të shquara të skenës politike, intelektuale dhe publicistike të hapësirës shqiptare, mendimtar, filozofi dhe politikë-bërës. “Arbën Xhaferi ishte figurë publike origjinale dhe unikate që brenda personalitetit të tij përmblidhte në mënyrë simbiotike dhe me harmoni të rrallë dellin e talentit  intelektual me atë politik.

Në këtë bashkëdyzim qëndronte esenca dhe identiteti i tij, pavarësisht se në cilën fushë shpërfaqej, në kulturë, në publicistikë, në rrafshin konkret të politikës apo diplomacisë. Arbën Xhaferi kishte dhuntinë dhe përgatitjen e lartë teorike si dhe aftësinë e duhur që dukuritë e ndërlikuara shoqërore, filozofike dhe politike, duke i qartësuar dhe konkretizuar deri në vizuelizim.

Kjo qartësi buronte nga njohja e thellë dhe e saktë e dukurive, nga mprehtësia e të gjykuarit,  nga logjika e hekurt dhe diskursi elokuent i të shprehurit. Pikërisht më këtë aftësi konceptimi të Arbën Xhaferit,  shtruarja dhe të kuptuarit e çështjes shqiptare merrte përmasa globale, shfaqet në horizonte të reja, duke tejkaluar copëzimin, jep tërësinë, apo thënë më mirë kuptimësimin e rehatimit të çështjes shqiptare.

Ky koncept është më i gjerë, më fleksibël më liberal se vetë relacionet reale të çështjes shqiptare në Ballkan. Është koncept i mendimtarit drejt të cilit e shtyn njohja dhe argumenti shkencor. Cilësi e pashmangshme e mendimit politik të Arbën Xhaferit është njohja rrënjësore e problemeve të zgjidhura e të pazgjidhura kombëtare në Evropë e më gjerë.

Prandaj sa herë e shtron problemin e çështjes shqiptare, ai ka pikëshikimin nga largësia, krahasimet, dallimet, që e bëjnë të qartë pikësynimin dhe zgjidhjen tërësore të çështjes shqiptare. Por, mbi të gjitha, Arbën Xhaferi është persistent dhe konsistent në idetë e tij në saje të vetëdijes historike, dijenisë teorike dhe relacioneve të shqiptarëve me fqinjët përreth.

Kjo ndërgjegje politike, kulturore dhe kombëtare Arbën Xhaferin individualisht e bën të lirë nga kompleksi i inferioritetit, me kërkesë të natyrshme që shqiptarët si kolektivitet, përballë të tjerëve,  po ashtu të lirohen nga kompleksi i inferioritetit.
Për rehatimin dhe realizimin e interesit nacional të shqiptarëve Arbën Xhaferi studion me imtësi potencialet e brendshme shqiptare, pa rënë në eufori, në nacionalizëm primitiv, në ksenofobi, hegjemonizëm ose aspirata utopike. Debati dhe idetë e Arbën Xhaferit për çështjen shqiptare janë sa moderniste aq edhe racionale, sa evropiane aq edhe globale, sa kombëtare aq edhe në frymën e fqinjësisë së mirë.

Arbën Xhaferi është ithtar i lirisë, mendimtar i ndritur, që lirinë e vet e kërkon të barabartë me lirinë e tjetrit, duke kërkuar mos cenim apo respekt reciprok të hapësirë së lirisë edhe në nivel individual edhe në nivel nacional. Pikërisht ky potencial intelektual, moral dhe njerëzor bëri që Arbën Xhaferi, përpos konteplacionit, t’i qaset politikës nga brenda, si art, si mundësi, si praktikë dhe si pragamatikë.

Ai veprimit politik i dha ngjyrën e individualitetit të tij. Nocionit të zhveshur të politikanit, ia veshi pelerinën e mendimtarit, duke e humanizuar drejtimin e politikës në Maqedoni. Gjatë qëndrimit në skenën politike Arbën Xhaferi rrezatoi lidership të vërtetë. Ai nuk mori asnjë post ekzekutiv, edhe atëherë kur fitoi zgjedhjet dhe subjekti i tij politik ishte pjesë e pushtetit. Ishte lider. Dhe mbeti lider deri në fund. U shndërrua në misionar.

Roli i Arbën Xhaferit në skenën politike në Maqedoni ishte pozitiv dhe emancipues.
Shumë procese u avancuan në dobi të shqiptarëve në Maqedoni saje të këmbënguljes, vizionit dhe kërkesave që parashtroi, imponoi dhe projektoi si lider i shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë. Në ditët më të vështira për Kosovën, Arbën Xhaferi luajti rol të rëndësishëm, duke justifikuar potencialin e tij patriotik, politik dhe humanist.

Arbën Xhaferi ishte mbështetës dhe përkrahës i natyrshëm i filozofisë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arbën Xhaferi do të luajë rol të jashtëzakonshëm në tejkalimin e krizës humanitare të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre në mars prill 1999. Arbën Xhaferi tërë kohën qëndroi në lartësinë elitare dhe lideriste, duke shmangur konvulsionet, tensionimet, edhe atëherë kur në jetën praktike dilnin paradokset tipike te jetës shqiptare. Ai ishte politikan me sensin e zhvilluar të masës, prandaj në zhvillimet konkrete me asgjë nuk e tepronte, as nuk e linte mangut.

Duke qenë njeri me rezon të kthjelltë analitik dhe vlerësues, në momente kruciale gjithmonë u rreshtua nga pozitivja, nga ana e interesit të popullit që i përkiste. Arbën Xhaferi la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve,  duke artikuluar individualitetin e tij në parti dhe jashtë partisë, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin analitik, sintetizues dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual.

Arbën Xhaferi nuk lëvizi asnjëherë nga boshti i identitetit të tij politik e kombëtar. Arbën Xhaferi qëndroi dinjitetshëm në skenën politike, deri në ditët kur e preku sëmundja, e cila ia reduktoi aktivitetin politik, por jo mendimin, idetë dhe artikulimin e vazhdueshëm për aspekte të ndryshme të çështjeve politike, problemeve filozofike dhe kulturore. Vdekja e hershme e Arbën Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për familjen, për skenën politike në Maqedoni, por edhe në Kosovë dhe më gjerë në botën shqiptare.

Është humbje për të gjithë ne që e kemi njohur, për  miqtë e tij të shumtë, për gjithë ata që e kanë vepruar me të. Me vdekjen e Arbën Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritura të qytetërimit shqiptar.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes Xhaferi, miqve dhe gjithë atyre që vlerësojnë kontributin e gjithanshëm të Arbën Xhaferit”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Kosovës. (LajmeShqip.com)