Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 09:45

Korçë – Thellohet skandali me objektet e Kulturës në qytetin juglindor të vendit. Historianë dhe studiues kanë  dhënë alarmin se janë zhdukur objektet e Kulturës që i përkisnin shtëpisë e njohur ndryshe dhe si ‘Shtëpia e Flamurit pasi aty u shpall Korça krahinë autonome nga Themistokli Germenji. 

Vetëm një ditë pas deklaratës së Ministrisë së Kulturës, e cila bëri me dije se ka nisur puna për hartimin e një projekti, që do të bëjë të mundur rindërtimin e shtëpisë së shembur, historiani Bashkim Jahollari, njëkohësisht ish-drejtor i Muzeve si dhe studiuesi Niko Kotherja japin alarmin se në ‘Shtëpinë e Flamurit’ nuk gjenden më objektet e vjetra me vlerë të mëdha historike, pasi ato janë zhdukur në  kohë të ndryshme. 

Studiuesit pretendojnë se objektet e muzeut ishin dërguar pas viteve 1990 në Pallatin e Kulutës , por këtë të fundit kanë hedhur poshtë akuzat duke thënë se në këtë institucion ruhen vetëm objekte të luftës. Sipas studiuesve, muzeu do të rindërtohet me objekte jo origjinale, ndërkohë që shprehin shqetësimin e objektet tashmë të zhdukura mund të jenë pjesë e tregut të zi.

Protesta 
“Shteti po rri indiferent, ndërsa në Korçë shemben godina historike me vlera të veçanta për gjithë Shqipërinë. Shteti hesht, ndërsa vlerat kulturore janë duke u rrafshuar dhe historia i fshihet para syve. Turp për këdo që nuk reagon sot, për ‘masakrën’ kulturore të radhës në Korçë”. Këto kanë qenë tekstet e disa pankartave që një grup studentësh dhe intelektualësh të Korçës mbanin në duar gjatë protestës së djeshme. Nën moton “Zgjohuni korçarë”, ata protestuan dje në mesditë paqësisht, para rrënojave të “Shtëpisë së Flamurit”. 

Hetimet
Burime nga prokuroria dhe policia e Korçës sqarojnë se janë marrë në pyetje edhe shumë persona të tjerë që kanë informacione për prishjen e “Shtëpisë së Flamurit”. Mësohet se për zbardhjen e ngjarjes janë angazhuar edhe ekspertë të urbanistikës, për të vërtetuar nëse ndërtesa është shembur vetë apo ka qenë e qëllimshme. Ndërsa, do të merren në pyetje dhe pronarët e ndërtesës, të cilët kanë deklaruar se shtëpia e Themistokli Gërmenjit është shembur për shkak të amortizimit fizik. “Shtëpia e Flamurit” në Korçë u shemb javës që shkoi. Kryebashkiaku, Niko Peleshi pak ditë më parë kërkoi publikisht lejen e Ministrisë së Kulturës për rindërtimin e godinës historike. (LajmeShqip.com)