Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 10:33

Korçë – 30 skulptura me baltë të pjekur dhe 52 grafika të artistit korçar, Llazi Tili janë ekspozuar në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në qytetin e Korçës.

Në përurimin e ekpozitës, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dega Korçë ,Vladimir Torroveci, vlerësoi se kjo ekspozitë është frut i një pune shumëvjeçare i autorit, i cili flet me gjuhën e artit. “Ekspozita pëfshin vepra arti realiste-ekspresioniste, që të befasojnë me origjinalitetin e tyre dhe nivelin e lartë artistik”, tha Torroveci.

Në punimet e artistit Llazi Tili, skulptori Vasilaq Kolevica vlerësoi imagjinatën dhe fantazinë krijuese, që sipas tij ka marrë gjithçka nga realiteti i trevës së Korçës dhe e ka paraqitur me forma të mahnitshme e sugjestionuese që të emocionojnë dhe të mbeten gjatë në kujtesë.

Intelektuali Gjergji Papa, njëherazi deputet i zonës, u shpreh se ekspozita e skulptorit Llazi Tili është një ngjarje jo vetëm për autorin, por edhe për të gjithë krijuesit dhe publikun korçar pasi siç u shpreh ai “Llazi Tili flet për të gjithë me gjuhën universale të artit që e fisnikëron njeriun”.

Llazi Tili u lind në qytetin e Korçës në vitin 1945. Ai përfundoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1968 dhe punoi për shumë vite si mësues vizatimi në shkollat e ndryshme të këtij qyteti. Pesë prej veprave të tij janë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve në Tiranë, ndërsa dhjetra të tjera në Galerinë e Arteve të Korçës. Gjatë karrierës së tij, Llazi Tili është nderuar me disa çmime kombëtare e lokale.