Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 10:45

Korçë – Lagjja “Kasaba” në qytetin e Korçës,  me të kaluarën e saj dhe monumentet e kulturës, aty ku ngrihet xhamia e Mirahorit, një ndër objektet e para të kultit e ndërtuar në Korçë gjatë viteve 1486-1496, por pa sahatin e saj karakteristik,  nuk ka ende infrastrukturën e premtuar për banorët.

Një fond prej 20 milionë lekësh, i premtuar nga bashkia e qytetit për fillimin e ndërtimit të kullës së sahatit, si dhe restaurimi i këtij institucioni të rëndësishëm për vlerat turistike edhe monumentale të tij, nuk është bërë ende realitet.

Lagjja “Kasaba”,  me pazarin  e rrënuar, hanet e famshëm, etj, sot të japin më tepër përshtypjen e një getoje të qytetit. Specialistë që e duan dhe vlerësojnë këtë qytet, kanë reaguar ndaj braktisjes të kulturës që mund të rigjenerojë impakte turistike me vlera ekonomike për qytetin, si një nga qytetet më të vizitueshëm të Shqipërisë juglindore.
Në këtë lagje ndodhen ndërtesat e qeverisë së asaj kohe, pazari, hanet, imareti, medreseja e vjetër, spitali etj. Në “Kasaba” dikur  zhvillohej jeta më dinamike shoqërore dhe kulturore e qytetit.

Në rrugën “28 Nëntori” gjendet imareti, një institucion bamirësie, i ndërtuar shekuj më parë nga vetë themeluesi i saj dhe që funksionoi deri në vitin 1934. Kompleksi përbëhej nga furrat e bukës, kuzhinat, mensat, magazinat dhe objektet e tjera ndihmëse. Për vite me radhë ky institucion shpërndante ndihmë sociale për banorët e qytetit të Korçës. Në këtë lagje ndodheshin edhe sarajet e Iljaz bej Mirahorit, që do të prisheshin nga themelet prej ish-regjimit komunist.