Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 20:00

Tiranë – Nëna Mbretëreshë Geraldina ndërroi jetë nëntë vite më parë (23 tetor 2002) në moshën 87 vjeçare si pasojë e sëmundjes së rëndë të mushkërive, shoqëruar nga dëmtime ishemike të zemrës.

E cilësuar nga shtypi si një simbol dhe një pjesë e historisë së shtetit shqiptar, ajo u varros nga disa qindra qytetarë në Varrezën e Sharrës në Tiranë, në parcelën e  VIP-ave.

Në homazhet dhe varrimin e saj morën pjesë personalitete të larta politike të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, pretendenti për fron Leka Zogu me bashkëshorten Suzanë, pinjolli më i ri familjes, Princ Leka, motra e së ndjerës, Silvana Myselier, mbesa e Geraldinës, kontesha Julia Hendriks, dy princesha nga Franca, që kishin lidhje farefisnore me Mbretëreshën si edhe pjesëtarë të oborrit mbretëror. Në ceremonitë mortore  morën  pjesë me përfaqësitë e tyre, rreth 50 oborre dhe familje mbretërore në botë.

“Unë dua të vdes në Shqipëri në tokën shqiptare dhe në mes të shqiptarëve”, ishte një nga diçiturat e vendosura në sallën ku u vendos trupi i Mbretëreshës Geraldinë, ku ishin ekspozuar një grup fotografish nga dasma e saj me Mbretin Zog.

Geraldina, një konteshë hungareze, kishte patur në mbrëmjen e 16 Tetorit, një keqësim të papritur të gjendjes shëndetësore, kur kishte pak muaj që kishte ardhur në Shqipëri, mbas 63 vjetësh largimi. Ajo u shtrua urgjent në Spitalin Ushtarak në Tiranë, një spital në periferi të Tiranës, i ndërtuar nga bashkëshorti i saj Mbreti Ahmet Zogu, në vitin 1937, si pasojë e mungesës së respirimit polmunar. Mjekët realizuan intubimin respirator, si të vetmen ndërhyrje që mund të ndihmonte përmirësimin e shëndetit.

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare e konsideroi si një ngjarje të rëndë, vdekjen e Mbretëreshës Geraldinë, e cila, sipas tij,  “është një pjesë e bukur e historisë shqiptare”.

Kadare pati një korrespondencë me Mbretëreshën Geraldinë pak kohë para se ajo të vinte në Shqipëri, në qershor të këtij viti, mbas një mërgimi 63 vjeçar nga Shqipëria.

Në letrën e tij personale drejtuar Mbretëreshës dhe të bërë publike në një të përditshme shqiptare, ai i shkruante se “vendimi juaj për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve, një lajm i gëzuar dhe prekës”, ndonëse sipas Kadare, ” ky vend ju ka sjellë më tepër brenga sesa gëzime”.

Ai e quante rikthimin e Geraldinës, një akt të lartë dhe që jepte një mesazh fisnik se Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i vështirë dhe i varfër”.

Mbretëresha Geraldina u largua nga Shqipëria në 6 prill të vitit 1939,  një ditë para pushtimit të vendit nga Italia.   Familja mbretërore mbas largimit nga Shqipëria u vendos fillimisht në Follorinë të Greqisë, ndërkohë që prej më se 22 vjetësh jetonte në Johansburg të Afrikës së Jugut. Ajo gjatë 63 viteve ka ndryshuar disa herë rezidencën e saj. Në fillim Mbreti Zog u vendos në Stamboll, Paris dhe Londër, Madrid dhe në Aleksandri të Egjiptit. Pas largimit të Leka Zogut (djali i Mbretit Zog) nga Barcelona, më 1978, Geraldina jetoi për 12 vjet në Madrid për t’u bashkuar me familjen në 1980.

Familja Mbretërore kishte shprehur prej kohësh dëshirën për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri. Nga familja mbretërore shqiptare më parë në Atdhe ishte kthyer vetëm Leka Zogu I.