Lajme Shqip Thursday, 27 August 2015 13:24

Të gjitha anët e Kalasë së Novobërdës janë rrethuar me skele. 93 punonjës janë të shpërndarë gjithandej qytetit të epërm për të restauruar dhe konservuar Kalanë e Novobërdës. Objekti që daton nga shekulli XIII është duke rimarrë formën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një rrugë e përkohshme është ndërtuar rreth mureve të Kalasë për të krijuar mundësinë e sjelljes së materialit pranë objektit, përderisa në muret e jashtme nga njëra anë pothuajse kanë përfunduar punimet.

Punimet në projektin e përkrahur financiarisht nga Komisioni Evropian, që është duke u implementuar nga UNESCO, kanë hyrë në muajin e tretë. Kompania serbe “Koto”, që ka fituar tenderin nga UNESCO, bashkë me dy nënkontraktorë tashmë ka arritur të shpëtojë disa pjesë që kanë qenë duke rënë dhe po ashtu ka bërë edhe zbulime të reja gjatë punimeve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas arkeologut të Institutit të Arkeologjisë së Serbisë, Marko Popoviq, i cili është duke mbikëqyrur punimet në kuadër të kompanisë “Koto” rruga aktuale rreth Kalasë është mbi atë të vjetrën dhe do të jetë e përkohshme, në mënyrë që të krijohet mundësi për punë.

Pranë kullës kryesore të Kalasë disa punonjës të martën kanë gërmuar për të nxjerrë në sipërfaqe një derë të re.

“Është gjetur një portë e re anash kullës kryesore”, ka shpjeguar Popoviq për zyrtarët e UNESCO-s, ata të Komisionit Evropian, Ministrisë së Kulturës e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Një pjesë e murit pranë kullës kryesore është zbuluar nga heqja e mbetjeve që kishin zënë vend si pasojë e shembjes së objektit.

“Muret do të restaurohen deri në madhësinë ekzistuese dhe bazuar në dokumentacionin bazik. Kjo është pika më e lartë ekzistuese edhe sipas dokumentacionit. Lartësia është dhjetë metra “, ka thënë Popoviq.

Sipas tij, nëse pas largimit të materialit haset në ndonjë shtresë tjetër kulturore mbetet të gërmohet e të studiohet. Krahas kullës kryesore punonjësit janë duke rikonstruktuar murin rrethues.

Sipas Popoviqit, krejt në fund do të bëhet izolimi në mënyrë që të mos hyjë uji në brendi të objektit.

“Sa ka qenë i lartë muri i kullës së madhe nuk dihet, por do të konservohet në nivelin që është tash. Shtatë metra kishte material i cili ishte i rrënuar. Pranë derës së re do të gërmohet tutje”, ka thënë Popoviq.

Punimet në muret rreth 10 metra pranë portës kryesore janë pothuajse në përfundim. Porta e cila ka qenë në gjendje të rëndë po ashtu ka marrë formë.

“Gurët janë të objektit. Vetëm kthehen dhe restaurohen. UNESCO e merr përgjegjësinë për cilësinë e punimeve. Ata garantojnë”, ka thënë drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.

Ndërsa sa i përket kompanisë punëkryerëse “Koto”, ka thënë se bëhet fjalë për kompani me përvojë.

“Pos ‘Kalamegdanit’ në Beograd kanë punuar edhe nëpër Evropë”, ka thënë Rexha.

Sipas tij, porta kryesore nuk është dukur fare dhe ka qenë në gjendje të keqe.

“Ne ia patëm bërë një dërrasë për të mos u shembur. Jemi të kënaqur me punën që është duke u bërë”, ka thënë Rexha.

Sipas Sinisha Sheshun, që është drejtues i zyrës së UNESCO-s në Sarajevë, Agjencia e organizatës së Kombeve të Bashkuara është përgjegjëse për implementimin e projektit, kurse Komisioni Evropian e ka financuar atë me 1 milion euro.

“Financimi përfshin përgatitjet teknike të dokumentacionit, projektin dhe restaurimin e konservimin”, ka thënë ai, tek ka shtuar se janë shumë të kënaqur me punimet që janë duke u bërë.

Sa i përket angazhimit të kompanisë serbe, Sheshi ka thënë se është përzgjedhur me tender ndërkombëtar.

“Kjo është mënyra sesi punojmë. Kontraktohen kompani me shkathtësi të mira. Pastaj punojnë edhe punëtorë lokalë që të jenë më të shkathët në të ardhmen. Janë punësuar njerëz nga agjencia e punësimit”, ka thënë ai. Derisa punimet në Kalanë e Novobërdës po kryhen nga një kompani serbe dhe bashkëpunimi midis institucioneve të Kosovës me punëkryerësit është duke shkuar mirë, ndryshe janë raportet midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Kosova tashmë ka nisur kërkesën e saj për pranim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë. Politikanët kosovarë kanë paralajmëruar një betejë të fortë diplomatike me Serbinë. Kjo e fundit ka mobilizuar të gjitha institucionet për ta penguar këtë proces. Fushatën politike kundër pranimit të Kosovës në UNESCO e ka nisur edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë.

Përderisa ky institucion është zotuar se do t’iu shkruajë akademive anembanë botës që shtetet e tyre të mos e përkrahin pranimin e Kosovës në UNESCO, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka shkruar letër për të njëjtën gjë sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Pavarësisht kësaj, UNECO është e përkushtuar që punimet në Kalanë e Novobërdës të shkojnë mirë.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj bashkë me kolegun e tij Kemajl Luci dhe arkitekten Valbona Saliuka janë duke mbikëqyrur punimet si përfaqësues të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Mehmetaj ka thënë se deri tani restaurimi dhe konservimi është bërë në nivel të duhur, tek ka shpjeguar se zhvillimin më të hovshëm ekonomik qyteti i Novobërdës e kishte arritur në fillim të shekullit XV.

“Në këtë kohë bëhet njëri ndër qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme në Evropën Juglindore”, ka thënë ai në Kalanë që kishte tetë kulla.

Sipas tij, osmanët kishin vazhduar farkimin e monedhave në punëtorin që kishin gjetur.

“Pas luftërave austro-turke të vitit 1689, qyteti humb famën e dikurshme. Në këtë kohë nisin shpërnguljet e mëdha të popullatës, si pasojë e humbjes së luftës së koalicionit të krishterë”, ka thënë Mehmetaj.

Sipas tij, qyteti mesjetar përbëhej prej tri pjesëve kryesore, qytetit të sipërm ose citadelës, qytetit të poshtëm dhe paralagjeve.

“Qyteti i sipërm kishte pozitë të jashtëzakonshme gjeostrategjike. Ngrihej mbi kodrën e lartë, 1124 metra mbi nivelin e detit dhe mbizotëronte rrethinën.

Përbëhej prej mureve të larta rrethuese që edhe tashti vende – vende ruhen deri në lartësinë prej 15 metrash, sikurse edhe gjashtë kullave në trajtë ovale të organizuara në formë rrethi”, ka thënë Mehmetaj, sipas të cilit qyteti i poshtëm pos mureve rrethuese fortifikohej edhe me dy kulla, njëra në jug dhe tjetra në lindje.