Lajme Shqip Tuesday, 27 November 2012 18:40

Tiranë – Sot në Tiranë është zbuluar solemnisht shtatorja e komandantit legjendar Adem Jasharit. Shtatoren e arkitektit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zemër të Tiranës e zbuluan kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Tiranës, Lulzim Basha, si dhe Rifat Jashari. Me këtë rast, vepra dhe kontributi i Adem Jasharit u vlerësua lart nga të pranishmit, duke thënë se ai arriti që Prekazin dhe Drenicën ta shndërrojë në Krujën e Skënderbeut.

Pas zbulimit të shtatores, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha para të pranishmëve tha se vepra dhe ideali i Adem Jasharit ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, prandaj theksoi se ardhja e tij në Tiranë do të shërbejë për frymëzimin e gjeneratave të reja në rrugëtimin e shqiptarëve drejt bashkimit dhe rrugës për në Bashkimin Evropian.

“Pas Skënderbeut është flamurmbajtësi më dinjitoz, më trim, më burrëror i këtij flamuri; sepse ai u faktoi shqiptarëve dhe botës se heroizmi i këtij kombi nuk ka kufij; se sakrifica e tij për liri dhe dinjitet kombëtar nuk njeh kufij; se është i gatshëm për çdo çmim për lirinë, dinjitetin e tij të kombit dhe vendit të tij. Sot jemi këtu nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kemi vendosur lule dhe jemi krenar me ty komandant. Dhe sot jemi këtu për t’u zotuar solemnisht se jemi të frymëzuar nga vepra jote dhe e qindra mijëra heronjve dhe do të bëjmë gjithçka që të bëjmë realitet idealin e shenjtë për të cilën ti bëre sakrificën më sublime, për të cilën shqiptarët gjatë një shekulli ranë për t’u bërë të pavdekshëm; për të bërë realitet bashkimin kombëtar, si ëndrra më fisnike, e bukur dhe e vërtet evropiane e këtij kombi”, ka thënë ai.(K.P/LajmeShqip.com))