Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 13:32

Ishëm – Kryeministri Sali Berisha bëri sot homazhe në varrin e piktorit të shquar Ibrahim Kodra, të cilin e cilësoi si “një nga kolosët e pikturës shqiptare, italiane dhe evropiane”. 
Gjatë vizitës në Ishëm ku përuroi segmentin rrugor Bubq-Ishëm, Kryeministri u ndal dhe bëri homazhe te varri i piktorit Ibrahim Kodra. 
“Ai u largua në fillim të viteve 1930, por gjithë jetën ruajti frymëzimin që morri nga vendlindja e tij. U kthye si “Nder i Kombit” dhe prehet në vendlindjen e tij”, u shpreh kryeministri.
“Ibrahim Kodra dhe vepra e tij dëshmojnë se shqiptari i lirë me genin krijues mund të arrijë në të gjitha nivelet. Në këtë kontekst ky është një premtim i madh për të ardhmen e shqiptarëve”, vijoi Kryeministri.
Në fund kryeministri Berisha pasi vlerësoi nderin e madh që i bëjnë kombit korifejtë e arteve pamore si Kodra, kujtoi edhe problemet që i krijojnë atij piktorët e dështuar, duke iu referuar profesionit të kryesocialistit Rama.      
“Pikturat le t’ua lëmë korifejve dhe kolosëve”, përfundoi vlerësimin e tij kryeministri Berisha.
Piktori i madh Ibrahim Kodra (Ishëm 1918 – Milano 2006) është varrosur sipas dëshirës së tij në një nga kodrat e Ishmit, pranë së cilës ndodhet edhe kalaja mesjetare. Z. Berisha dhe drejtuesit qendorë dhe vendorë vizituan edhe një pjesë të Kalasë, në brendësi të së cilës banojnë disa familje.