Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 14:36

TIRANË- Inis Gjoni i rikthehet regjisë dhe pas shfaqjes “Salla e banjos” ajo sjell një tjetër komedi, “Klani i të divorcuarve”, e cila po shfaqet në Teatrin Kombëtar të Komedisë.

Vepra, e shkruar nga Alil Vardari, do të interpretohet nga aktorët Romir Zalla, Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Orsi Vagjeli. Tre gra, që nuk njihen me njëra-tjetrën, fati i ka bashkuar në një shtëpi pas ndarjes martesore. Ngjarja zhvillohet në apartamentin e tyre dhe këtu krijohet klani i të divorcuarve.

Komedia ka në qendër të saj tre personazhe, Stefania, Brixhilda dhe Meri. Stefania dhe Meri kanë zgjidhur martesat e tyre me koshiencë. Ndërsa nga ana tjetër kemi dhe femrën e braktisur nga bashkëshorti, që është Brixhilda, e cila arrin ta përballojë divorcin, të shikojë përpara dhe të gjejë shpresën pas një dhimbjeje të madhe siç është dhe ndarja. Aktori Romir Zalla do të vijë këtë herë në skenën teatrore në rolin e një femre.
Në një prononcim për mediat, Inis Gjoni është shprehur se shfaqja është një komedi intime, ashtu siç ishte komedia “Salla e banjës”, e realizuar vitin e kaluar. “Këto komedi flasin për jetën reale, atë të prekshmen ku publiku pa shumë sforco me anë të gjuhës dhe zhargonit që gjen në komedi shikon jetën me të cilën ballafaqohet çdo ditë”, shprehet Gjoni.
Sipas saj, komedia “Klani i të divorcuarve” tregon se sot divorci nuk është një dramë e pakalueshme nga femrat. “Veçse me intrigon tema, nga ana tjetër më bën përshtypje se si femra e shikonte divorcin dje dhe si e shikon sot. Rruga që ka ndjekur më përpara dhe çfarë zgjidhjeje i jep sot divorcit. Nga ana tjetër edhe pse janë femra të forta, kanë dhe anën e brishtë”, tha Inis Gjoni.Skenografia e veprës është realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografia nga Bukuroshe Sinanaj, formulimi muzikor nga Ermir Shaphasa. Komedia do të shfaqet deri në datën 9 nëntor në skenën e TKK-së.(LajmeShqip.com)