Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:56

Tiranë – Kineastja Adriana Elini-Xhajanka është përkujtuar paraditen e sotme në një aktivitet të organizuar në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, gjatë të cilit u shfaqën edhe dy filma dokumentarë nga krijimtaria e saj artistike.

Në ceremoninë ku të pranishëm ishin miq, kolegë, kineastë e të afërt, i ftuar ishte edhe skenaristi Ilia Dede i cili u shpreh se Adriana Elini në filmat që realizoi nuk u orientua nga tematika të mëdha, nuk bëri filma me sllogane, pllakate, por bëri pikturën e bashkohësisë.

“Filmat e saj janë dëshmi e kohës kur ajo i realizoi. Adriana ka përhapur mesazhin e së rese sepse fokusonte bashkëkohësit më të përparuar dhe ajo mbetet një figurë që nuk vdes siç nuk vdesin filmat e saj”, tha Dede.

Sipas tij, veçantia e filmave dokumentarë të Adrianës është se ato i rezistojnë kohës pasi përcjellin mesazhe jo vetem për kohën kur janë realizuar, por edhe sot.

Në kinemanë e AQSHF-së u shfaq filmi dokumentar “Çdo vijë një vizatim”, realizuar në vitin 1984 dhe “Kolë Idromeno”, realizuar tre vjet më pas. Në këtë të fundit kineastja Elini ka bashkëpunuar me skenaristin Kolec Traboini i cili gjatë fjalës së tij e cilësoi regjisoren Adriana Elini si një grua të përkushtuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe me seriozitetin më të madh në punën që merte përsipër.

“Adriana kishte kuptuar një gjë që pa harmonizuar të gjithë komponentët e filmit në një unitet as regjisori nuk mund të kishte sukses dhe për këtë arsye ajo akordonte të gjithë elementët që puna të dilte e përsosur”, tha Traboini.

Regjisorja e disa çmimeve në festivalet e filmit dokumentar, Adriana Elini-Xhajanka i përket brezit të regjisoreve që filluan punë në fund të viteve ’50, por ajo me pasionin e dashurinë për profesionin nga regjisore montazhi kaloi në regjisore dokumentari dhe për mëse tri dekada krijoi vlera në fushën e kinematografisë.

Ky aktivitet në përkujtim të krijimtarisë artistike të regjisores Elini, përkon edhe me 74 vjetorin e saj të lindjes dhe 17 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, dhe për kolegun e saj Traboini fakti që ajo kujtohet ende edhe sot tregon se ajo ishte e veçantë dhe një njeri që la mbresa kudo.

Adriana Elini-Xhajanka gjatë viteve të krijimtarisë së saj ka realizuar rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës ku një veçori e saj ka qënë edhe trajtimi i filmit portret ndërmjet të cilit ajo ka “vizatuar” bashkëkohësit e saj.

Me përkujtimin e Adriana Elini-Xhajankës mbyllet edhe “Muajit të Grave Kineaste”, organizuar nga AQSHF për të përkujtuar krijimtarinë e regjisoreve të para femra, që edhe pse ishin të pakta në numër gdhendën emrin e tyre në historinë e filmit shqiptar.

Gjatë muajit mars, çdo të mërkurë, në kinemanë e këtij institucioni janë shfaqur filma të kineasteve Marianthi Xhako, Donika Muçi, Vitori Çeli e Xhanfize Keko, ku nuk munguan as filmat e shfaqur për herë të parë pas çensurës së kohës kur u realizuan.

 

BIOGRAFI

Adriana Elini u lind në Tiranë në 3 prill 1937 në një familje qytetare e shquar për idealet e vyera ndaj atdheut. Mbas arsimit të mesëm kreu në Tiranë Fakultetin e Histori -Gjeografisë dhe në vitin 1958 emërohet në Kinostudio fillimisht si regjisore montazhi. Në vitin 1967 Adriana ishte regjisorja e montazhit në filmin artistik “Horizontet e hapura” dhe më pas në filmin tjetër “Estrada në ekran”. Falë punës, përkushtimit, pasionit për filmin, në vitin 1968 realizoi filmin e parë si regjisore “Universiteti ynë”. Nga ky vit e nga ky film, për afro 20 vjet të tjera Adriana arrin të realizojë rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës. Ndër filmat më të mirë të Adrianës mund të përmendim “Qylymat tanë”, “Art i lashtë, mjeshtër të rinj”, “Tokë e begatë”, “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Manush Alimani”, “Çdo vijë, një vizatim” – ky film u nderua me çmim për regjinë në Festivalin e VI të Filmit dokumentar, – “Kolë Idromeno” – nderuar me Çmim të Tretë në Festivalin e VII të Filmit Dokumentar, etj.