Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 13:52

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë, duke iu shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” nga Franko Benanti. Ky libër vjen për herë të parë në shqip. Benanti është një prej dëshmitarëve të paktë të luftës dhe të pasluftës antifashiste në Shqipëri. Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit. Duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit, Benanti do të njihte ‘pas perdes’ nga afër, disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare dhe pushtetit komunist të dalë prej saj. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Naimi” dhe kushton 1000 lekë.

“Odhise Paskali, themelues i skulpturës shqiptare” nga Leonardo Voci. Ky është një libër studimor mbi krijimtarinë e skulptorit të njohur Odhise Paskali, shoqëruar edhe me ilustrime grafike të nxjerra nga arkivi i familjes. “Këtë libër me studime mbi veprat e Mjeshtrit të Madh të skulpturës shqiptare, Odhise Paskalit, e kam shkruar me një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme nga të gjithë, për faktin që ta afroj Paskalin dhe veprën e tij pranë gjithë shqipfolësve sipas dëshirës së tij, për ta dhënë atë në formë të asimilueshme”, shkruan Voci në libër. Libri kushton 2000 lekë.

“Bashkëjetesë me kohën” nga Teodor Laço. Shkrimtari Teodor Laço i ka hedhur në një libër kujtimet e tij, duke sjellë kështu para lexuesit edhe dëshmi të një të shkuare të afërt, por që ka shënuar çaste të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Janë shënime politike, letrare dhe intime, të cilat Laço i ndan me lexuesit. Ndalet veçanërisht në vitet 1996-1997, në faktorin politik të asaj kohe, kur ai ishte ministër Kulture dhe në situatën sociale të vendit. Libri është botuar nga “Tirana Times” dhe kushton 1000 lekë.

“Vizione të qarta” nga Pjerin Thomai. Autori  rimerr nëpërmjet këtij botimi çështjen e shumëdiskutuar nëse ka pasur apo jo disidencë gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri. Ashtu siç ai e pohon në parathënien e botimit, ky libër sjell dëshmi të qarta të ekzistencës së disidencës në kohën e monizmit, edhe pse, sipas tij, disa njerëz e qarqe të huaja nuk duan ta pranojnë. Në këtë botim trajtohen shumë fusha, ku më shumë dominon ekonomia, fusha që ka shqetësuar autorin, ku edhe ai është më i përgatitur. Libri është botuar nga “Xhumrra” dhe kushton 500 lekë. (LajmeShqip.com)