Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 11:52

Gjatë kohës së komunizmit shtypi në Shqipëri ishte krejtësisht nën kontrollin e shtetit, ndërsa karikatura ishte një nga shtyllat e propagandës.

Në karikatura pasqyrohej mënyra se si njerëzit partiakë dëshironin ta prezantonin vendin para popullit të vet. Bota e cila e rrethonte Shqipërinë e asaj kohe, prezantohej si e rrezikshme. Kjo posaçërisht pas prishjes me bllokun sovjetik, kur Shqipëria u zhyt më shumë në izolim. Shqipëria po ashtu prezantohej si vend i rrezikuar e që nuk frikësohej t’i kritikonte vendet përreth saj, shkruan sot Koha Ditore.

Prezantohej si vend parimor që kërkonte dhe mbështeste politikat paqësore. “Hostein” ishte revista satirike më e rëndësishmja në Shqipëri asokohe. Kjo revistë ekziston edhe sot, ani pse nuk është kaq e famshme siç ishte në periudhën e komunizmit.

Periudha e artë e kësaj reviste ishte midis viteve ’60 e ’80, kur botohej dy herë në javë. Këto të dhëna i ka shpalosur të mërkurën studiuesi çek Premysl Vinsh në kumtesën me titull “Analiza e shkurtër e karikaturës politike dhe shoqërore në Shqipërinë komuniste”, i cili ka bërë përmbledhje të karikaturave të kohës së komunizmit në Shqipëri. Ai ligjëroi në ambiente të Fakultetit Filologjik në ditën e tretë të Seminarit të 34-t Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Vinsh ka analizuar karikaturat duke nisur nga fundi i viteve ’40, në kohën kur Shqipëria i prishi punët me Jugosllavinë, ato të kohës së prishjes me bllokun sovjetik e deri tek periudha e socializmit.

“Një karikaturë e vitit 1949, menjëherë pas prishjes me Jugosllavinë dhe këto karikatura u përpoqën që të krijojnë frikë në popullsi. Shihet tharja e liqenit të Shkodrës dhe qëllimisht u demaskuan disa çështje që para prishjes me Jugosllavinë ishin shumë të rëndësishme.

Në këtë karikaturë shohim një kështjellë të pamposhtur, e cila është në gjendje të godasë armiqtë”, ka thënë Vinsh, tek ka treguar se në këto karikatura shihet edhe kritika e mënyrës se si Jugosllavia dëshironte të ndërtonte socializmin.

“Shikojmë shumë shpesh lidhje me botën imperialiste që natyrisht nga fillimi i regjimit ishte si diçka djallëzore, dhe këto motive janë shumë të shpeshta. Një tjetër motiv i cili përsëritet shumë shpesh ishte lidhja e regjimit të armikut me fashizmin. Këtu gjejmë këtë lidhjen Titler që lidhet me Hitler”, ka thënë Vinsh, tek ka treguar se viti 1961 ishte i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse në atë kohë doli nga blloku sovjetik. Menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve, karikaturat kanë qenë kundër Bashkimit Sovjetik, sidomos kur ato përqendroheshin në paraqitjen e aleatëve të Bashkimit Sovjetik si skllevër.

“Ata shihen si skllevër ekonomikë, ku gjithçka janë në gjendje të bëjnë për Moskën dhe natyrisht të tilla gjenden edhe pas vitit 1968, kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës”, ka thënë Vinsh, tek ka treguar se për të ishte e rëndësishme që të analizonte edhe çështjen e Çekosllovakisë.

Sipas tij, pushtimi i Çekosllovakisë për Shqipërinë ishte një nga argumentet e forta që i përdori kundër Bashkimit Sovjetik. Vinsh ka treguar se një tjetër përpjekje ka qenë që përmes karikaturave të tregohet se sovjetikët nuk dallojnë shumë nga amerikanët.

“Perëndimi u portretizua si një botë e rrezikshme”, ka thënë Vinsh.

Sipas tij, Shqipëria duke kritikuar këto vende ka dashur të tregojë se është vend që mbështet paqen.

Një kategori tjetër interesante, sipas tij, ishte mënyra se si u shfaq jeta në vendet perëndimore.

“Gjithmonë lidhet me problemet ekonomike. Ju e dini se në vitin 1976 Shqipëria nuk mund të merrte kredi të huaja dhe pikërisht kjo çështje u kritikua shumë. Nga viti 1985 u kritikua burokratizmi, gjithashtu shpenzimet e mëdha të dasmave tradicionale në Shqipëri, që u konsiderua si diçka që e dëmton shoqërinë antisocialiste”, ka thënë Vinsh, i cili materialet i ka mbledhur në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe në Bibliotekën e Institutit Albanologjik atje.

Ai nuk merret specifikisht me studimin e karikaturave, por kur ka hasur në këta arkiva i është ngjallur kureshtja.

“Duke kërkuar materiale të ndryshme që më nevojiten për punën time, kam gjetur këtë thesar”, ka thënë Vinsh. Ai beson se karikatura ofron një mënyrë të të shikuarit të aspekteve politike nëpërmjet materialeve të ndryshme.

“Po të krahasojmë me një revistë në Çekosllovaki, në disa periudha mund të gjejmë gjëra të njëjta, siç është kritika e Jugosllavisë pas vitit 1948. Karikaturat pas viteve ’60 në këto dy vende janë krejtësisht të ndryshme. Kam dashur të shoh se si mund ta shikojmë historinë e madhe nëpërmjet materialeve që në shikim të parë nuk janë me rëndësi. Por pikërisht këto materiale mund të na thonë shumë për këtë politikë të madhe”, ka thënë Vinsh.

Para se ai të ngjitej në foltore, studiues të tjerë prezantuan kumtesat e tyre. E mërkura ka nisur me ministrin e Kulturës, Kujtim Shala, që shpalosi ligjëratën me titull “Epistemologjia e dytë”. Ndërsa në pjesën e dytë të ditës u lexuan edhe kumtesa e Teuta Abrashit me titull “Bashkëveprimi i domenit emëror dhe foljor”, ajo e Giovanna Nanci me titull “Përkthimet në gjuhën italiane të romanit ‘Kështjella’ të Ismail Kadaresë: përfundimet e analizës kritike” dhe e Sadije Rexhepit me titull “Lëvizja referenciale në tekst”.