Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 11:59

Tiranë – Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, e ka cilësuar ndarjen nga jeta të përkthyesit të njohur të letërsisë shqipe, Ramon Sanchez Lizarralde, një lajm të hidhur për kulturën shqiptare dhe për të si autor.

“Kam humbur një mik të shtrenjtë, një përkthyes të madh, ndër më të mirët e letërsisë shqipe dhe në të gjithë botën”, është shprehur kandidati i çmimit Nobel, në një të përditshme shqiptare.

Sipas tij, të gjithë shkrimtarët e përkthyer nga ranon Sanchez kanë ndjerë të njëjtën humbje dhe ndajnë hidhërimin me familjen e tij, veçanërisht me Marian, shoqen e jetës së tij.

“Ramon Sanchez do të mbetet i paharruar në kujtimin tonë dhe në letrat shqipe”, ka thënë Ismail Kadare.

Përkthyesi i njohur u nda nga jeta të dielën pasdite në moshën 60 – vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ai është përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle dhe një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Ramon Sanchez ka përkthyer në spanjisht thuajse te gjithë korpusin letrar të Ismail Kadaresë, por edhe autorë të tjerë si: Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj.

Ramon Sanchez është  autor i shumë botimeve dhe studimeve që lidhen me fushën e përkthimit dhe studimeve shqiptare. Për përkthimet e tij nga gjuha shqipe, ai ka fituar në vitin 1993 Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit për romanin “Koncerti” të Ismail Kadaresë.

Në vitin 2005 ai u nderua nga MTKRS me çmimin “Pena e argjendtë” për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë. Ramon Sanchez ka jetuar në Shqipëri për katër vjet në fillim të viteve ’80.