Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 14:14

Tiranë – Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, është fituesi i një tjetër çmimi, kësaj here për sensin e humorit të zi dhe ironisë kafkiane në letërsinë e tij.

Drejtori i Javës Ndërkombëtare të Letërsisë dhe Artit Humoristik “La Risa de Bilbao”, shkrimtari Juan Bas, ka deklaruar se çmimi i këtij festivali do t’i akordohet shkrimtarit shqiptar, fitues i çmimit “Princi i Asturias” dhe kandidat për çmimin “Nobel”, Ismail Kadare, që përmes një “humori të zi dhe kafkian” ka denoncuar “barbarinë në Shqipëri”.

Edicioni i tretë i këtij festivali do të zhvillohet nga data 2-7 tetor dhe ka zgjedhur si këndvështrim të këtij viti humorin si një armë sa mbrojtjeje, ashtu edhe sulmi kundër “barbarisë në formën e totalitarizmit, terrorizmit, margjinalizim kulturor.”.

Kadare pritet të  jetë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimit, në gjashtë tetor dhe do të flasë përpara publikut, bashkë me shkrimtaren Carmen Posadas. Në këtë edicion, do të zhvillohen edhe tri sesione mbi temën “Dialogu mes shkrimtarëve”.(LajmeShqip.com)