Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 07:28

Sarajevë – “Do të filloj të qaj nëse nuk ndaleni”, i tha audiencës aktorja e shpërblyer me Oscar, e cila mori brohoritje të gjatë në Teatrin Kombëtar të qytetit të Sarajevës.

Jolie e ka përzgjedhur luftën e Bosnjës të vitit 1992-95 si ambient për filmin e saj të parë si regjisore. Filmi i saj “In the Land of Blood and Honey” (Në tokën e gjakut dhe mjaltit) pritet të dalë në dhjetor. Ajo gjithashtu e ka vizituar Bosnjën si ambasadore e vullnetit të mirë për agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatë UNHCR dhe ka financuar ndërtimin e disa shtëpive për të kthyerit në Bosnjën lindore.

Drejtori i festivalit Mirsad Purivatra e ka prezantuar aktoren Jolie me shpërblimin në formë zemre, kur ajo u paraqit në ceremoninë përmbyllëse. “Sonte po ia japim çmimin e nderit Zemra e Sarajevës një artisteje të madhe, jo vetëm për ndikimin e madh që ka ajo në botën e kinemasë, por gjithashtu edhe për angazhimin e saj këmbëngulës dhe aktiv në ndërlikimet e botës në të cilën jetojmë”, tha Purivatra.

Jolie, e veshur me një fustan të gjatë ngjyrë pjeshke, qëndroi në skenë me sytë e mbushur me lot, duke pritur që duartrokitjet të ndaleshin.

I kam thënë Bredit në veturë se frikohesha se do të qaja, tha ajo duke iu dirdhur zëri. Filmi i saj flet për historinë e një lidhjeje të dashurisë ndërmjet një femre boshnjake dhe një serbi, të cilët kanë qenë në anët e kundërta luftuese gjatë konfliktit.

Ajo kishte planifikuar të xhirojë pjesë të filmit në Sarajevë dhe kishte angazhuar një ekip lokal. Por i ishte dashur të largohej për në Budapest pasi disa femra, viktima të dhunës seksuale i kundërshtuan detalet e fabulës dhe autoritetet boshnjake e anuluan lejen e xhirimit.

“Jam shumë e nderuar që jam këtu në këtë festival”, tha Jolie pas pranimit të shpërblimit. “Nuk ka shembull më të madh të fuqive të artistëve dhe festivalit që filloi gjatë luftës dhe u rrit më i fuqishëm për çdo vit”.

Festivali i Filmit të Sarajevës ka filluar në fund të rrethimit 43 mujor të kryeqytetit boshnjak nga forcat serbe të Bosnjës. Jolie e prezantoi aktorin austriak Thomas Schubert me shpërblimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në filmin “Atmen”, të xhiruar nga Karl Markovics. Filmi “Atmen”, që flet për kundërvajtës të ri që është në kërkim të nënës së tij, gjithashtu është shpallur filmi më i mirë në festival. Aktorja rumune Ada Condeascu e ka fituar çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në filmin “Loverboy”.